Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Rrahim Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë të ndodhur më 18 nëntor 2026, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e ngarkon Hotin me dyshimet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ndodhi më 18 nëntor, rreth orës 12:03, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve.
Rrahim Hoti dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri të tipit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës S.D., fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas edhe pasi kishte hapur dyert e tij.
Nga të shtënat me armë zjarri, sipas Prokurorisë, ishte rrezikuar edhe jeta e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Pas plagosjes, viktima ishte dërguar fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, ndërsa më pas ishte transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.
U largua nga vendi i ngjarjes, policia ia sekuestroi armën dhe municionin
Pas të shtënave, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë ishte lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, zyrtarët policorë kishin gjetur dhe sekuestruar armën që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale, dy karikatorë dhe 24 fishekë.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të banesës së tij, ishin gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.
Prokuroria: Rrahim Hoti ishte dënuar më parë për vrasje në Zvicër
Një tjetër detaj i rëndësishëm i bërë publik nga Prokuroria lidhet me të kaluarën penale të të dyshuarit.
Sipas organit të akuzës, Rrahim Hoti rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur që Hoti të qëndrojë në paraburgim për një muaj, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Caktimi i paraburgimit është masë për sigurimin e pranisë së të pandehurit gjatë procedurës penale dhe nuk përbën vendim për fajësinë e tij.
Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali





