Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza Muhamet Hasanin, të mbrojtur nga avokati Besnik R. Berisha, në rastin e 83 kilogramëve e 592 gramëve heroinë nga Turqia. Me të njëjtin aktgjykim, Gjykata liroi nga akuza edhe Shefket Demin.

Hasani dhe Demi akuzoheshin nga Prokuroria Speciale se kishin ndihmuar në transportimin e lëndës narkotike nga Turqia në Kosovë. Në këtë gjykim të akuzuar ishin edhe Lorik Tigani, Onur Vizdik dhe Ilir Mema.
Në fjalën përfundimtare të 16 nëntorit, avokati Besnik R. Berisha kërkoi lirimin e Hasanit, duke argumentuar se Prokuroria nuk kishte provuar asnjë veprim konkret që e lidhte të mbrojturin e tij me veprën penale. Sipas mbrojtjes, takimi i Hasanit me Mentor Imamin kishte të bënte me një shërbim transporti që kompania “Alba Trans” ua ofronte edhe klientëve të tjerë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 prill 2024, heroina ishte fshehur brenda 32 reflektorëve dhe u zbulua gjatë kontrollit të një kamioni të kompanisë “Alba Trans” në terminalin doganor në Han të Elezit. Prokuroria pretendonte se ngarkesa kishte për destinacion Prishtinën.
Procedura ndaj Faik Krosës është veçuar, ndërsa Mentor Imami, të cilin Prokuroria e cilësonte si organizator të grupit, ndodhet në arrati.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





