Gjykata e Apelit ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me zhvillimin e seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, pasi një pjesë e shqyrtimit gjyqësor është zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun.

Përmes një njoftimi të lëshuar të enjten, më 29 tetor 2026, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se seanca në çështjen penale me numër Pakr.nr.480/2026 është zhvilluar pjesërisht e hapur për publikun, ndërsa një pjesë e saj është mbyllur me vendim të kolegjit gjykues.
Sipas gjykatës, vendimi është marrë në përputhje me dispozitat ligjore të procedurës penale, duke marrë parasysh natyrën e çështjeve që janë trajtuar gjatë seancës.
Arsyeja kryesore për mbylljen e një pjese të seancës, sipas Apelit, ka qenë nevoja për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë.
“Ky vendim është marrë nga kolegji gjykues i çështjes penale në fjalë, në përputhje me dispozitat ligjore të procedurës penale, duke pasur parasysh natyrën e çështjeve të trajtuara, të cilat kanë paraqitur nevojën për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë”, thuhet në sqarimin e gjykatës.
Gjykata e Apelit ka rikujtuar se edhe gjatë procedurës gjyqësore në shkallë të parë, një pjesë e seancave në këtë rast ishte zhvilluar me dyer të mbyllura.
“Bëjmë me dije se, në këtë çështje penale edhe në procedurën e zhvilluar në shkallë të parë, një pjesë e seancave gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura”, thuhet tutje në njoftim.
Apeli ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, por njëkohësisht duhet të respektojë detyrimet ligjore që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të palëve në procedurë.
Kujtojmë se rasti i vrasjes së Liridona Ademajt është një nga proceset gjyqësore që ka ngjallur interesim të madh publik në Kosovë.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




