Robert Lewandowski ka përzgjedhur ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Lamine Yamal, si një nga favoritët për ta fituar ‘Topin e Artë’, por nuk i ka kursyer lëvdatat as për yllin e Bayern Munichut, Michael Olise.

Sulmuesi polak, i cili tani luan te Chicago Fire, vlerëson se Yamal ka cilësi të jashtëzakonshme, veçanërisht duke marrë parasysh moshën e tij.
Megjithatë, ai beson se Olise është një futbollist që meriton më shumë vëmendje, falë ndikimit të madh që ka në lojën e skuadrës bavareze.
“Sigurisht, unë bëj tifo që Lamine Yamal ta fitojë Topin e Artë, sepse është i jashtëzakonshëm, sidomos për moshën që ka. Megjithatë, nëse e krahasojmë situatën e sotme me atë të mëparshmen, gjërat janë paksa ndryshe”, deklaroi Lewandowski.
Polaku foli edhe për paraqitjet e Harry Kane te Bayern Munichu, duke vlerësuar ndikimin e sulmuesit anglez dhe bashkëpunimin e tij me Olise dhe Luis Diazin.
“Kane, që iu bashkua Bayernit në kulmin e karrierës së tij, po bën gjëra të jashtëzakonshme. Është mbresëlënëse të shohësh sa gola shënon, sidomos duke pasur parasysh se Bayerni e kishte ndier mungesën e një sulmuesi të këtij niveli pas largimit tim. Me të, skuadra po bën një punë shumë të mirë”, u shpreh ai.
“Ndërsa Olise, për mua, është thjesht ‘uao’. Ai është një lojtar që mund ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes. Mendoj se bashkëpunimi mes Kane, Olise dhe Luis Diazit është një kombinim perfekt”, shtoi Lewandowski.
Sulmuesi polak i vendosi Yamal dhe Olise në një nivel të lartë, duke theksuar se të dy kanë ndikim të madh në lojën e skuadrave të tyre.
“Lamine dhe Olise, si lojtarë të krahut, janë ndër futbollistët me ndikimin më të madh në skuadrat e tyre, krahas Harry Kane, i cili luan si sulmues qendror”, deklaroi Lewandowski.
Megjithatë, ylli polak u ndal veçanërisht te cilësitë e francezit të Bayern Munichut, duke vlerësuar inteligjencën e tij në lojë dhe vendimmarrjen në momentet vendimtare.
“Jam i impresionuar nga mënyra se si luan Olise. Ai ka një të ardhme të jashtëzakonshme. E di që të gjithë flasin për Lamine Yamal, por unë përpiqem ndonjëherë t’i shikoj edhe lojtarët e tjerë dhe të vërej diçka që jo të gjithë e kanë kuptuar ende”, tha ai.
Lewandowski madje beson se një paraqitje e mirë e Olise në Kupën e Botës mund ta vendosë atë në mesin e kandidatëve kryesorë për çmimin individual më prestigjioz në futboll.
“Për mua, nëse Olise do të shënonte një ose dy gola në Kupën e Botës, ai gjithashtu do të ishte favorit për Topin e Artë, përkrah Lamine Yamalit apo edhe Harry Kane”, theksoi polaku.
Në fund, Lewandowski vlerësoi aftësinë e Olise për të marrë vendimet e duhura në fushë, duke veçuar kohën e zgjedhur për të goditur portën apo për të pasuar te bashkëlojtarët.
“Vendimet e tij janë perfekte. Ai e di kohën e duhur, kur duhet të gjuajë për të shënuar dhe kur duhet të pasojë, si dhe çfarë lloj pasimi të bëjë. Më pëlqen ta shikoj Lamine Yamal, por edhe Olise. Është kënaqësi të shohësh mënyrën se si luajnë”, përfundoi Lewandowski. /Telegrafi/




