Letra përmes së cilës Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, pak para protestës së paralajmëruar pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës.

Në letër, Arlinda kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj dhe kishte kërkuar ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhet në njërën nga pjesët e letrës që ajo ia kishte drejtuar prokurores në Pejë.
Mbi letrën e vendosur në hapësirë publike është shkruar mesazhi “Deri kur?”, duke rikujtuar kërkesën e saj për mbrojtje dhe duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet i trajtuan paralajmërimet e saj, transmeton Klankosova.tv.
Vendosja e letrës vjen në ditën kur në Prishtinë është paralajmëruar protestë me kërkesën që rastet e vrasjes së grave të trajtohen si urgjencë kombëtare.
Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe nis në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Nga aty, organizatorët kanë paralajmëruar marshim drejt institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, si dhe Qeverisë së Kosovës.




