Këshilltarët komunalë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe asambleistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Fushë Kosovë kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në vizitën zyrtare të delegacionit të Kuvendit Komunal në Këshillin Bashkiak të Vlorës.

Të dy subjektet politike kanë kundërshtuar përbërjen e delegacionit, duke vlerësuar se në të janë përfshirë edhe persona që nuk janë pjesë e Kuvendit Komunal apo e institucioneve komunale.
Përmes një njoftimi, LDK-ja në Fushë Kosovë ka bërë të ditur se ftesa e Këshillit Bashkiak të Vlorës i ishte drejtuar Kuvendit Komunal dhe se gjatë vizitës është paraparë mbajtja e një mbledhjeje të përbashkët solemne, si dhe nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët për Partneritet Strategjik dhe Bashkëpunim Ndërinstitucional.
Sipas LDK-së, gjatë përgatitjeve për vizitën, këshilltarët e saj janë njoftuar se në delegacion do të përfshihen edhe persona jashtë përbërjes së Kuvendit dhe institucioneve komunale.
“Kërkuam që delegacioni t’i përmbahej ftesës zyrtare, e cila i drejtohej Kuvendit, por kërkesa dhe shqetësimi ynë nuk u mor parasysh nga udhëheqësit e komunës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ky subjekt politik ka bërë të ditur se, për këtë arsye, ka vendosur të mos jetë pjesë e udhëtimit, ndonëse, siç thuhet, kishte vullnet të merrte pjesë në takimin institucional.
LDK-ja ka theksuar se përfaqësimi në vizita zyrtare duhet të jetë institucional dhe në përputhje me qëllimin e ftesës. Po ashtu, ka bërë të ditur se këshilltarët e saj nuk do të përfitojnë dhe as të shpenzojnë mjete publike për këtë udhëtim.
Edhe Dega e PDK-së në Fushë-Kosovë ka njoftuar se asambleistët e saj nuk do të marrin pjesë në vizitën zyrtare në Vlorë, duke sqaruar se mospjesëmarrja nuk lidhet me kundërshtimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në reagimin e saj, PDK-ja ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës dhe Këshillit Bashkiak të Vlorës, si dhe simbolikën e aktiviteteve të parapara në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
“Mospjesëmarrja e Grupit të Asambleistëve të PDK-së nuk ka të bëjë me kundërshtimin e bashkëpunimit apo me rëndësinë e vizitës, por ekskluzivisht me çështjen e përbërjes së delegacionit dhe respektimin e përfaqësimit institucional”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka kërkuar që delegacioni të përbëhet nga anëtarët e Kuvendit Komunal, ndërsa përfshirja e personave jashtë këtij institucioni, sipas saj, duhet të bëhet përmes konsultimit dhe dakordimit institucional.
Ky subjekt politik ka theksuar gjithashtu se kundërshtimi i përbërjes së delegacionit nuk paraqet përjashtim apo mungesë respekti ndaj shkrimtarëve dhe krijuesve nga Fushë Kosova.
“Respektimi i përfaqësimit institucional dhe respektimi i kategorive të ndryshme shoqërore janë dy çështje të ndara, të cilat duhet të trajtohen me kujdes dhe mirëkuptim”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK-ja ka bërë të ditur se kishte bërë përpjekje për të gjetur një dakordim dhe për të marrë pjesë në vizitë, por pasi nuk ishte arritur marrëveshje për përbërjen e delegacionit, asambleistët e saj kishin vendosur të mos udhëtonin.
Të dy subjektet politike kanë ritheksuar se mbështesin bashkëpunimin ndërinstitucional me Vlorën, por kanë kërkuar që ai të zhvillohet duke respektuar përfaqësimin institucional, transparencën dhe dakordimin ndërmjet palëve. /Telegrafi/





