Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se draftimi i ligjit për Dhomat e Specializuara pritet të përfundojë gjatë kësaj jave, duke bërë të ditur se aktualisht po pritet që ekspertët ta përmbyllin punën e tyre.

I pyetur nga gazetarët se kur pritet të jetë gati drafti i këtij ligji, Kurti u shpreh se afati i synuar mbetet kjo javë, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët.
“Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim prej ekspertëve që ta përmbyllin këto ditë”, deklaroi Kurti.
Draftimi i këtij projektligji vjen në një kohë kur çështja e Dhomave të Specializuara vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve politike dhe institucionale në Kosovë.
Më 19 nëntor, kryeministri Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, u pajtuan që ndryshimet të procedohen përmes një projektligji të ri, në vend që të votohet sërish teksti i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor.
Marrëveshja erdhi pas disa javësh paqartësish rreth ligjit, të cilin presidentja Justina Shiroka Pula e kishte kthyer për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të vetë PDK-së, që e kishte iniciuar atë.
Ndryshimet e miratuara në tetor parashihnin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës, ngushtimin e periudhës kohore dhe territorit për të cilin ajo mund të gjykojë, si dhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet.
Ato përfshinin edhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë, me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Ato janë themeluar në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe një ligji të veçantë, në kuadër të zotimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova. /Telegrafi/





