Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka akuzuar pushtetin se po përdor propagandën si mjetin kryesor për të mbuluar, sipas saj, mungesën e rezultateve në qeverisje.

Përmes një postimi në Facebook, AAK ka pretenduar se kjo propagandë po shpërndahet përmes montazheve amatore në faqe të ndryshme të rrjeteve sociale.
Partia ka publikuar edhe një video, për të cilën pretendon se paraqitja e nënkryetarit të parë të AAK-së dhe shefit të Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, është montuar.
Sipas AAK-së, në seancën e fundit Tahiri kishte kërkuar që Qeveria ta ndryshojë strategjinë për investimet në sektorin e energjisë.
Aleanca ka bërë të ditur se kërkesa e saj është që Kosova të nisë punën për krijimin e rastit të quajtur “The Energy Case of Kosova”, me qëllim të kthimit të burimeve dhe shfrytëzimit të kapaciteteve energjetike të vendit.
Në reagimin e saj, AAK ka kritikuar qeverisjen gjatë gjashtë viteve të fundit, duke pretenduar se pushteti nuk ka arritur t’ua përmirësojë jetën qytetarëve.
“Kur mjeti më i fortë mbetet propaganda, atëherë pushteti veç po tregon që është i dorëzuar pranë gjendjes reale”, thuhet në reagimin e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





