Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vazhdon të jetë optimist për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, por ka pranuar se ekzistojnë shqetësime për realizimin e këtij projekti, për shkak të mungesës së unitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për situatën e krijuar rreth organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive, Kurti ka kritikuar Komunën e Prishtinës për mungesë bashkëpunimi, ndërsa ka vlerësuar pozitivisht komunikimin me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Ai ka thënë se mungesa e unitetit të brendshëm e ka sjellë vendin në situatën aktuale, ku tashmë është vënë në pikëpyetje organizimi i Lojërave Mesdhetare.
“Ne duhet të jemi unik për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030. Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur për shkak se kush bën mirë nuk e ka të lehtë të bashkëpunojë me dikë që e bën të kundërtën dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi e komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë”.
“Është fitore e madhe që ne e kemi marr përgjegjësinë në organizmin e Lojërave Mesdhetare, dhjetë komuna të Kosovës bashkë edhe me një komunë në Shqipëri, përkatësisht Durrësin dhe në anën tjetër planifikimi për investime, libri me të cilin kemi aplikuar e kemi fituar, duhet të zbatohet në plotni. Këtu ka pasur dallime e mospajtime ka edhe mosbesime dhe kjo është situata në të cilën ndodhemi. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, pra do ta bëjmë me çdo kush pa korrupsion, kjo është tejet e rëndësishme për ne “, tha Kurti.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, ndërsa organizimi i tyre është një prej projekteve më të rëndësishme sportive për Kosovën. Përveç Prishtinës, në organizim janë të përfshira edhe dhjetë komuna të tjera të Kosovës, si dhe Durrësi i Shqipërisë, ku parashihet të zhvillohen garat e sportit të lundrimit.
Megjithatë, projekti është përballur me vështirësi dhe mosmarrëveshje ndërmjet institucioneve përgjegjëse, duke ngritur shqetësime për përmbushjen e obligimeve organizative dhe financiare para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. /Kosovapress/





