Gjashtë persona, mes tyre shtetas shqiptarë, janë arrestuar në Belgjikë në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër një organizate kriminale, e cila dyshohet se trafikonte kokainë nga porti i Anversës drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 25 milionë euro nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimi nisi në mesin e këtij viti, pasi autoritetet belge siguruan informacione për një rrjet kriminal të përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e kokainës. Sipas Prokurorisë, droga mbërrinte përmes portit të Anversës, ku më pas ruhej përkohësisht në apartamente me qira në qytet dhe zonat përreth.
Këto ambiente merreshin përmes platformave online të rezervimit dhe përdoreshin për ripaketimin e drogës, e cila më pas vendosej në çanta sportive dhe transportohej me kamionë drejt Britanisë së Madhe.
Gjatë hetimeve, autoritetet identifikuan rreth 21 transportime të dyshuara të drogës. Në gjashtë raste të ndaluara gjatë operacioneve në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, u sekuestruan gjithsej 773 kilogramë kokainë dhe 40 kilogramë heroinë.
Një nga sekuestrimet më të mëdha u realizua më 13 korrik, kur dogana franceze zbuloi 215 kilogramë kokainë të fshehura në një kamion që po transportonte drogën drejt qytetit të Leedsit në Angli.
Në fazën përfundimtare të operacionit, Policia Federale Gjyqësore e Anversës, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe Europol-in, zhvilloi shtatë kontrolle banesash, katër prej tyre në Belgjikë.
Si rezultat, u arrestuan gjashtë persona, shtetas shqiptarë dhe rumunë, të moshave nga 25 deri në 38 vjeç.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 21 blloqe kokainë, materiale për paketimin e drogës, një makinë për numërimin e parave, kanabis të përgatitur për shitje, pajisje për kultivimin e kanabisit, dokumente identiteti të falsifikuara dhe para të gatshme.
Tashmë pritet që gjyqtari hetues të vendosë nëse gjashtë të arrestuarit do të mbeten në paraburgim.
Autoritetet belge kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimit me autoritetet portuale për identifikimin dhe goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





