Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përgjegjësi disiplinore dhe penale për të gjithë zyrtarët që nuk i kanë përmbushur detyrimet ligjore në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se rasti i Zekajt e ka nxjerrë në pah dështimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave, pavarësisht se ajo kishte denoncuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje.

“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë, se një grua mund të ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta, dhe prapë të përfundojë e vrarë”, ka thënë Kurti, raporton RTKlive.
Ai ka theksuar se do të kërkohet përgjegjësi për secilin zyrtar që nuk e ka kryer detyrën. “Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet. Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore, duhet të japë përgjegjësi e do të përballet me masa disiplinore dhe penale”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për mentalitetin patriarkal, të cilin e ka cilësuar si një problem më të thellë shoqëror që ndikon në dhunën ndaj grave.
“Vrasja e Arlindës na përballi edhe me një problem më të thellë shoqëror: me një mentalitet patriarkal e cila ende e konsideron gruan si pronë apo objekt mbi të cilën burri mund të ushtrojë pushtet e forcë, që pavarësinë e saj e sheh si mosbindje dhe vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie si thyerje të autoritetit mashkullor”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se ndryshimi i këtij mentaliteti kërkon angazhim në familje, shkolla, institucione dhe organizime politike.
Ai ka paralajmëruar rishikimin e kurrikulave arsimore, nga edukimi parashkollor deri në nivelet e tjera të arsimit, me qëllim që barazia, respekti, autonomia personale dhe zgjidhja e konflikteve pa dhunë të mësohen që në fëmijëri.
“Nuk mund të vazhdojmë t’i edukojmë vajzat që të jenë të dëgjueshme e durueshme, ndërsa djemtë që të jenë patjetër dominues. Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim, edhe në tekstet shkollore, edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se emancipimi i shoqërisë lidhet edhe me pavarësinë ekonomike të grave, të drejtat pronësore, mundësitë e barabarta në punësim dhe ndarjen e përgjegjësive brenda familjes.
“Barazia gjinore duhet ta luftojë pabarazinë shoqërore dhe ajo duhet të dëshmohet në vendimet që marrim, në politikat që zbatojmë dhe mënyrën se si ne i mbrojmë gratë kur u rrezikohet jeta”, ka thënë Kurti.
Burimi: RTKLive




