Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në margjinat e Samitit të IX-të të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Dublin.

Me Rutten, shefi i qeverisë kosovare, tha se folën për bashkëpunim, zhvillimet aktuale dhe situatën e sigurisë.
“Në Dublin, në margjina të Samitit IX të Komunitetit Politik Evropian (EPC) pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Biseduam për bashkëpunimin e mirë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, dhe mundësitë konkrete të zgjerimit dhe thellimit të ndërveprimit, sikurse për zhvillimet aktuale dhe për situatën e sigurisë.”
Kurti shkroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë afatgjate në Ballkan dhe Evropë, transmeton Klankosova.tv
“Për ne anëtarësimi në Alencën Veri-Atlanike është prioritet strategjik, jetësimi i të cilit do t’i shërbente paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe mbarë kontinentin. Ndërsa angazhimi i NATO-s në rajon mbetet i rëndësishëm përballë rreziqeve dhe ndikimit të akterëve të jashtëm.”





