Kuptimet e fshehura në “Valën e Madhe” të Hokusait

Kuptimet e fshehura në “Valën e Madhe” të Hokusait

Kuptimet e fshehura në “Valën e Madhe” të Hokusait

Kryevepra e Katsushika Hokusait e vitit 1831, Vala e Madhe, është shndërruar në simbol të fuqishëm global – megjithatë, ka edhe një “fuqi të veçantë për të të hutuar”. Teksa një ekspozitë e re në Londër paraqet variantet e saj të ndryshme, cilat janë të dhënat që ndihmojnë për ta deshifruar këtë imazh të jashtëzakonshëm?

Sponsor 3M Express

Nga: Kelly Grovier / BBC (titulli: ‘Mystically elusive’: The hidden meanings in Hokusai’s iconic Great Wave)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ajo që mbërthen imagjinatën janë kthetrat që përdridhen nga shtypi dramatik në dru i Katsushika Hokusait nga viti 1831, Nën valën pranë Kanagavës – e njohur sot më mirë vetëm si Vala e Madhe. Pikërisht këto kthetra kërcënuese tërhoqën vëmendjen si të Vincent Van Goghut ashtu edhe të vëllait të tij Theo, kur të dy ata diskutuan për printimin në një shkëmbim letrash në vitet 1880. “Këto valë janë kthetra”, ia përsëritën Vincenti dhe Theo njëri-tjetrit në shtator 1888, “anija është zënë në to, mund ta ndiesh”.

Për gati dy shekuj, bota ka vazhduar ta ndiejë më shumë sesa ta shohë imazhin e jashtëzakonshëm, relativisht të vogël dhe të kursyer të Hokusait, të dominuar nga e kaltërta prusiane. Krahas Mona Lizës së Leonardos, Vajzës me vath perle të Vermeerit dhe vetë Natës me yje të Van Goghut, ai është një nga imazhet më shpejt të dalluar në historinë kulturore. Ajo që bie në sy në reagimin e përbashkët të vëllezërve Van Gogh, ndaj imazhit, është pasaktësia në kujtesën e tyre për atë që Vala e Madhe paraqet në të vërtetë.

Shikojeni përsëri dhe, në fakt, nuk është vetëm një anije e zënë në kthetrat e valëve. Janë tri. Këto barka të gjata dhe aerodinamike të transportit (ose oshiokuri-bune, siç quhen në Japoni), nuk janë detaje të vogla për të cilat duhet t’i picërrosh sytë për t’i gjetur. Prania e tyre dhe gjendja e tyre e pezulluar janë thelbësore për historinë që tregon Vala e Madhe. Dhe, padukshmëria e tyre e çuditshme është treguese e fuqisë së veçantë të printimit për të hutuar edhe vëzhguesit më të vëmendshëm.

Lexo po ashtu:
–
Periudha Edo në dhjetë fjalë dhe katër shkolla të pikturës
– “Kalorësit legjendarë të së kaluarës”: Historia e vërtetë e samurajëve misteriozë të Japonisë
– Gravurat e famshme (të censuruara) japoneze
– Arti i posterëve japonezë gjatë shekullit XX
– Van Goghu dhe Japonia: Printimet që ndikuan në artin e gjeniut fatkeq

Vala e Madhe përbëhet nga jashtëzakonisht pak elemente – tri barkat, valët që ngrihen me vrull, qielli i zymtë dhe, shumë larg, mali i vogël Fuxhi me majë të mbuluar me dëborë. Megjithatë, kuptimi i asaj që paraqitet në shtypin e famshëm mbetet pothuajse mistikisht i pakapshëm.

A është ky një imazh i fuqisë sublime të natyrës dhe i dobësisë së përpjekjeve njerëzore, apo është portret i qëndresës së papërmbajtshme të njerëzimit përballë një katastrofe të afërt? A është Vala e Madhe një studim që vë në kontrast kalueshmërinë e jetës (të simbolizuar nga vala) përballë qëndrueshmërisë së shpirtit (të mishëruar nga mali)? Apo është një alegori e vështrimit hyjnor nga lart, teksa mali mbrojtës Fuxhi na vështron pa u lëkundur përmes hapjes si vorbull të rrezikut të përplasjes?

“Vala e Madhe” (1831) është imazh i njohur në mbarë botën

Sot Vala e Madhe mund të gjendet në gjithçka, nga emoxhit, memet dhe kompletet Lego deri te kartëmonedha japoneze prej një mijë jenësh. Ndoshta duke e parandier jehonën e saj të jashtëzakonshme, artisti krijoi një seri shoqëruese. Kjo seri ndihmon për t’i zbërthyer kuptimet pas Valës së Madhe origjinale – dhe ndihmon të shpjegohet fuqia e saj depërtuese. Tridhjetë e gjashtë pamje të malit Fuxhi është ekspozuar në Londër [Dulwich Picture Gallery], hera e parë që e gjithë seria (si edhe 10 printimet e shtuara më pas) është paraqitur në Mbretërinë e Bashkuar.

Në kohën kur Hokusai krijoi serinë, ai po kalonte nëpër një rishpikje të jashtëzakonshme të identitetit. Pasi kishte mbijetuar një goditje të rëndë në tru në fund të të 60-ave, u preokupua me malin më të lartë të Japonisë, malin Fuxhi, i cili prej kohësh lidhej me pavdekësinë. Mori përsipër të kapte nga shumë kënde temperamentet e ndryshueshme të këtij objekti adhurimi dhe pelegrinazhi. Megjithëse asnjë nga 45 imazhet e tjera që krijoi Hokusai nuk është ngulitur në vetëdijen kulturore aq fort sa Vala e Madhe, secili shtyp hedh dritë mbi veprën më të famshme, duke na tërhequr vëmendjen te detajet dhe temat intriguese që përndryshe mund të na shpëtonin.

Brishtësia e një peshkatari

Keni parasysh Kaxhikazava në provincën Kai, ku paraqitet një figurë e përkulur në mënyrë të pasigurt mbi një dalje shkëmbore në qendër të imazhit, teksa hedhë fildispanja

në lumin e trazuar Fuxhi. Këtu, Hokusai, i cili në serinë e tij u nis për të shënuar të përjetshmen brenda së përkohshmes, e ktheu vëmendjen te përpjekjet e një peshkatari të vetëm për të gjetur diçka të përjetshme dhe arketipike në rropatjen e vet. Ato fildispanja pothuajse të padukshme që figura hedh në rrjedhën e dhunshme, të lidhur me karabullakët, e vendosin atë brenda një gjeometrie delikate tangjentesh që i japin jehonë formës trekëndore të malit të fuqishëm pas tij.

Peshkatari i vetëm në “Kaxhikazava në provincën Kai”

Papritur, dhjetëra pjesëtarë anonimë të ekuipazheve që lëvizin barkat në Valën e Madhe dhe prania individuale e të cilëve mezi sugjerohet nga Hokusai në atë printim, bëhen më intimë dhe ngarkohen me peshë më të madhe emocionale. Vendosini ato pranë njëri-tjetrit dhe konturi fantazmë që ato fildispanja të peshkimit vizatojnë në Kaxhikazava në provincën Kai, teksa bashkohen në grushtin e peshkatarit, të kujton formën e zhdukur të njërës prej atyre barkave në Valën e Madhe. Duket sikur paralajmëron një sprovë që ende nuk ka ndodhur, ose sikur kujton në mënyrë të frikshme një tragjedi që tashmë ka ndodhur.

Botët e brendshme dhe të jashtme

Ose shikojeni printimin në dukje të thjeshtë Fuxhimigahara në provincën Ovari, qetësia me diell e të cilit, në shikim të parë, mund të duket sa më larg trazimit të Valës së Madhe. Një shembull mjeshtëror i kompozimit, shtypi e redukton malin Fuxhi – i cili prej kohësh nderohej si simbol i pavdekësisë – në një copëz pothuajse të padallueshme druri të gdhendur, nga vozaxhi, i cili është i zënë duke punuar një fuçi të madhe të rrumbullakët në planin e parë të shtypit. Pa pjesën e poshtme, fuçia ende e papërfunduar bëhet një lloj objektivi stërmadh përmes të cilit mali Fuxhi njëkohësisht shihet dhe mbulohet, kornizohet dhe harrohet.

“Fuxhimigahara në provincën Ovari” është një shembull mjeshtëror i kompozimit

Nëse e lëmë atë fuçi të rrokulliset prapa drejt fillimit të serisë dhe e vendosim pranë Valës së Madhe, mund të shohim lakimin e fuqishëm, ndonëse të çastit, të ujit rreth malit në largësi. Ai është njëkohësisht një mjet që e drejton syrin tonë te prania e largët e malit Fuxhi dhe një shpërqendrim sundues që e zhduk atë krejtësisht. Vala është njëkohësisht më e frikshme se mali dhe një kontrast për pafundësinë e tij. Rezultati është një vepër që pa pushim i fokuson dhe i rifokuson sytë tanë tek ajo që shohim dhe mënyra se si e shohim – te kufiri i rrjedhshëm midis botës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Gjithçka është në rrjedhje

Efekti i grumbulluar i këtyre pamjeve të ndryshueshme të malit Fuxhi është ndjesi e natyrës iluzore të ekzistencës. Është temë që u lidh me shtypet ksilografike ukiyo-e (ose “bota lundruese”) të periudhës Edo. Ndoshta asnjë vepër tjetër në seri nuk e përforcon këtë aspekt të Valës së Madhe në mënyrë më intriguese sesa Pasqyrimi në liqen në Misaka, në provincën Kai, që paraqet një peshkatar të vetëm të shtrirë në barkën e tij, të rrethuar nga uji i lëmuar si qelq, nën vështrimin e malit të theksuar dhe të zhveshur Fuxhi.

“Pasqyrimi në liqen në Misaka, në provincën Kai”, thekson natyrën iluzore të ekzistencës

Ka një qetësi ëndërrimtare në skenën e palëvizshme, të rrethuar nga kodra të gjelbra dhe pemë me gjethe. Por, ajo trazohet çuditërisht nga kuptimi i papritur se pasqyrimi i përmbysur i malit që mban liqeni – dhe që mbizotëron gjysmën e poshtme të printimit – e përfytyron Fuxhin jo siç është në gjelbërimin me begati të pranverës ose fillimit të verës, por siç ishte ose do të jetë, me majë të mbuluar me borë në mes të dimrit. Kthehuni te Vala e Madhe dhe e kemi Hokusain duke bërë lojëra të ngjashme me madhështinë e palëvizshme të malit, i cili në dukje është i lakueshëm.

Po të mos ishte titulli më i gjerë i serisë, Tridhjetë e gjashtë pamje të malit Fuxhi, fare lehtë mund të mos e vërenim malin e vogël dhe ta ngatërronim mbulesën e tij prej bore me një valë më të vogël e të trazuar uji me shkumë. Në rrëfimin e Hokusait, gjithçka është në rrjedhje. Mali Fuxhi nuk është kurrë një gjë apo një tjetër, por një forcë e rëndësishme që ndryshon formë, fuqia elastike e së cilës qëndron në aftësinë për t’u pasqyruar në gjithçka që ndiejmë dhe për t’u ndier në gjithçka që shohim. /Telegrafi/

Lexo edhe

Manchester City merr goditje financiare, gjiganti amerikan tërhiqet nga marrëveshja prej 2 miliardë dollarësh

Manchester City merr goditje financiare, gjiganti amerikan tërhiqet nga marrëveshja prej 2 miliardë dollarësh

Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Lushtaku: Rritja e buxhetit nuk po përkthehet në mirëqenie për qytetarët

Lushtaku: Rritja e buxhetit nuk po përkthehet në mirëqenie për qytetarët