Një veprim i lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare është shënuar sot në qytetin e Ferizajt, ku një banor lokal ka dëshmuar integritet shembullor pas gjetjes së një shume të konsiderueshme të të hollave.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:00, në rrugën “Brigada 161”, ku qytetari A. Gashi ka hasur në një shumë prej 264.40 eurosh. Pa u luhatur fare, ai i ka marrë paratë dhe është drejtuar menjëherë për në Stacionin Policor në Ferizaj për t’i dorëzuar ato.
Veprimi i tij vuri menjëherë në lëvizje zyrtarët policorë. Pas verifikimeve të nevojshme administrative dhe procedurave të identifikimit, policia ka arritur të kontaktojë pronaren e parave, qytetaren me inicialet N.A.
Pas përfundimit të procedurave të rregullta, paratë i janë kthyer pronares me procesverbal të rregullt pranë organit të rendit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka vlerësuar lart dhe e ka falënderuar publikisht qytetarin A. Gashi për këtë gjest model, duke nëvizuar se veprime të tilla reflektojnë shkallë të lartë të kulturës qytetare dhe ndihmojnë në forcimin e besimit ndërmjet komunitetit dhe Policisë së Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




