Konsumimi i shpeshtë i ushqimeve ultra të përpunuara, si petët e gatshme, pijet e gazuara dhe ato me sheqer, drithërat e ëmbëlsuara për mëngjes dhe ushqimet e gatshme, mund të lidhet me rrezik më të lartë të dëmtimit të trurit që në moshën e mesme.

Sipas një studimi të kryer në Kanada, ku u analizuan rreth 9 mijë persona të moshës 35 deri në 69 vjeç, ata që konsumonin më shumë ushqime ultra të përpunuara kishin 40 për qind më shumë gjasa të shfaqnin shenja të një gjendjeje të njohur si sulm i heshtur në tru.
Studimi u realizua nga studiues të Universitetit McMaster dhe Institutit të Kërkimeve të Shëndetit të Popullsisë, ndërsa rezultatet janë raportuar nga The Seattle Times.
Sulmi i heshtur në tru mund të ndodhë pa simptoma të dukshme, por mund të shkaktojë dëmtime të përhershme. Kjo gjendje lidhet gjithashtu me rrezik më të lartë për sulme të ardhshme në tru dhe probleme me kujtesën.
“Gjetjet më befasuan, të them të drejtën”, ka thënë Russell de Souza, profesor i asociuar në Universitetin McMaster dhe studiues në këtë fushë.
Sipas studiuesve, ushqimet ultra të përpunuara përbënin mesatarisht rreth 25 për qind të dietës së pjesëmarrësve, ndërsa te disa persona kjo përqindje arrinte deri në 40 për qind.
Studiuesja Sonia Anand ka theksuar se ndikimi i ushqyerjes në shëndetin e trurit mund të vërehet përpara se njerëzit të përjetojnë probleme të dukshme me kujtesën apo aftësinë për të menduar.
“Gjetjet tona sugjerojnë se ndikimi i ushqyerjes në shëndetin e trurit mund të zbulohet përpara shfaqjes së problemeve të dukshme me kujtesën ose të menduarit”, është shprehur ajo.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këtë lidhje. Studimi tregon një lidhje mes konsumimit të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara dhe shenjave të dëmtimit të trurit, por nuk dëshmon se këto ushqime janë shkaku i drejtpërdrejtë i tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




