Kryetari i Nju-Jorkut i nënshtrohet operacionit pas lëndimit në ndeshjen e futbollit

Kryetari i Nju-Jorkut i nënshtrohet operacionit pas lëndimit në ndeshjen e futbollit

Kryetari i Nju-Jorkut i nënshtrohet operacionit pas lëndimit në ndeshjen e futbollit

Kryetari i Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, i është nënshtruar një operacioni për riparimin e tendinit të Akilit, të cilin e kishte këputur gjatë një ndeshjeje futbolli me një grup gazetarësh në fillim të këtij muaji. Operacioni ka rezultuar i suksesshëm, ndërsa ai pritet të rikuperohet plotësisht.

Sponsor 3M Express

Lajmin e ka konfirmuar të premten sekretari për media i Mamdanit, Joe Calvello, i cili bëri të ditur se kryetari tashmë është liruar nga spitali dhe po pushon në rezidencën e tij, Gracie Mansion.

“Operacioni ishte i suksesshëm dhe kryetari pritet të rikuperohet plotësisht”, deklaroi Calvello.

Lëndimi kishte ndodhur gjatë një ndeshjeje miqësore futbolli mes Mamdanit dhe gazetarëve që mbulojnë aktivitetet e Bashkisë së Nju-Jorkut. Ndeshja fillimisht ishte menduar të mbahej larg vëmendjes së publikut, por kryetari u detyrua të fliste për incidentin pasi u paraqit në një konferencë për media me paterica dhe një çizme ortopedike.

“Shënova një gol pak pasi hyra në fushë dhe harrova se isha 35 vjeç. Pak më vonë, këputa tendinin e Akilit”, kishte deklaruar Mamdani më 20 nëntor.

Ai kishte thënë se lëndimi erdhi si pasojë e mungesës së ushtrimeve të duhura për nxehje, ndërsa nuk kishte hezituar të tregonte se ekipi i tij kishte fituar ndeshjen kundër gazetarëve me rezultat 10-5.

Një gazetar që kishte marrë pjesë në ndeshje kishte përshkruar momentin e lëndimit, duke thënë se kryetari ishte “rrëzuar vetë”, pa pasur ndërhyrje nga ndonjë lojtar i ekipit kundërshtar.

Bashkia nuk ka bërë të ditur se në cilin spital është kryer ndërhyrja kirurgjikale, duke u thirrur në të drejtën e Mamdanit për konfidencialitetin e të dhënave mjekësore.

“Do të jem i shtrirë për disa ditë”, kishte deklaruar ai gjatë një konference për media këtë javë.

Për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, Mamdani do të mungojë edhe në Paradën tradicionale të Falënderimeve të organizuar nga Macy’s, e cila për shkak të kushteve atmosferike është shtyrë për të shtunën. Ai nuk pritet të marrë pjesë në aktivitete gjatë fundjavës, ndërsa kthimi në punë është planifikuar për të hënën.

Ndërkohë, gjatë periudhës së rikuperimit, përgjegjësitë e tij do të mbulohen nga zyrtarë të tjerë të Bashkisë. Zëvendëskryetari i parë, Dean Fuleihan, do të jetë i pari që do t’i ushtrojë këto detyra, i pasuar nga zëvendëskryetarja për Operacione, Julia Kerson.

Karta e qytetit të Nju-Jorkut përcakton procedurat për ushtrimin e detyrës së kryetarit në rastet kur ai nuk është në gjendje të përmbushë përgjegjësitë zyrtare, mungon nga qyteti për më shumë se nëntë ditë radhazi ose largohet nga detyra.

Pavarësisht lëndimit, Mamdani ka vazhduar paraqitjet publike ditët e fundit, duke marrë pjesë në aktivitete kulturore, fotografime dhe shpërndarje të gjelave të detit për qytetarët. Për t’ia lehtësuar qëndrimin në këmbë gjatë konferencave për media, ai tashmë shoqërohet edhe me një stol, ku mund të ulet gjatë aktiviteteve që zgjasin.

Ky nuk është rasti i parë kur një kryetar i Nju-Jorkut përballet me ndërhyrje mjekësore gjatë ushtrimit të detyrës. Ish-kryetari Bill de Blasio kishte kryer operacion në gju në vitin 2020 dhe një ndërhyrje për hernie në vitin 2015, ndërsa paraardhësi i Mamdanit, Eric Adams, iu nënshtrua një kolonoskopie nën anestezi të përgjithshme në vitin 2025.

Para operacionit, Mamdani kishte treguar edhe frikën që po përjetonte, pasi bëhej fjalë për ndërhyrjen e tij të parë kirurgjikale.

“Kam frikë. Është operacioni im i parë”, kishte deklaruar ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Rama uron shqiptarët për festën e Pavarësisë: Një 28 Nëntor më pranë Europës së Bashkuar

Rama uron shqiptarët për festën e Pavarësisë: Një 28 Nëntor më pranë Europës së Bashkuar

Në Ditën e Flamurit për fitore historike: Nelson Hysa ngjitet sonte në ring kundër Agit Kabayel

Në Ditën e Flamurit për fitore historike: Nelson Hysa ngjitet sonte në ring kundër Agit Kabayel

Një person i lënduar nga vetaksidenti në Sllatinë, Policia jep detaje

Një person i lënduar nga vetaksidenti në Sllatinë, Policia jep detaje