Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 15:00.

Sipas njoftimit, në rend dite është propozimi për seancën e radhës plenare.
Ndër çështjet kryesore që pritet të shqyrtohen në seancën plenare është Projektligji për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2027, i cili do të kalojë në shqyrtim të parë.
Po ashtu, në rend dite janë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë dhe ai për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, transmeton Klankosova.tv.
Deputetët pritet të diskutojnë edhe për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Krahas këtyre pikave, seanca e radhës do të përfshijë edhe deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.





