Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, e hënë, më 23 nëntor, në orën 11:00.

Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës, ndërsa një nga pikat e parapara është edhe miratimi i buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Kuvendi i Kosovës më 29 tetor 2026 kishte miratuar me 90 vota për formimin e këtij komisioni.
Komisioni tashmë ka angazhuar tre ekspertë të fushave juridike, të cilët do të ndihmojnë në punën e tij. Po ashtu, ka nisur intervistimin e personave të përzgjedhur për të dhënë dëshmi lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.
Kryesues i Komisionit është Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje mban pozitën e zëvendëskryesuesit.
Në përbërje të tij janë edhe Armend Baloku, Adelina Tershani, Osman Musliu dhe Arjeta Rexhepi nga LVV-ja, Besa Kabashi-Rama dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja, si dhe Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja. Pjesë e komisionit janë edhe Jovana Radosavljeviq nga Lista Serbe dhe Emilija Rexhepi nga Grupi Multietnik.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili ishte arrestuar pas dy ditësh në arrati.
Sipas deklarimeve fillestare të Policisë, dyshohet se vdekja e saj erdhi si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
Rasti kishte marrë vëmendje të madhe publike edhe për faktin se, pak kohë para se të vritej, rreth orës 19:00, Arlinda Zekaj kishte raportuar në stacionin policor në Pejë një rast të dhunës në familje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





