Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, ka dhënë dorëheqje pas një skandali të mashtrimit në provimin kombëtar të pranimit në universitet, i cili shkaktoi reagime të mëdha në vend.

Ministri mori përgjegjësinë për kaosin e krijuar nga masat emergjente të ndërmarra në momentet e fundit për të parandaluar mashtrimet përmes inteligjencës artificiale (AI) gjatë provimit të njohur si “Suneung”.
Skandali shpërtheu pasi një javë më parë, Han Won-seok, fituesi i rezultatit më të lartë në provimin kombëtar të kontabilitetit tatimor, pranoi se kishte përdorur një kamerë të fshehtë, telefon celular dhe mjete të inteligjencës artificiale për të kopjuar.
34-vjeçari kishte fotografuar pyetjet e provimit me një mikro-kamerë dhe më pas ia kishte dërguar ato inteligjencës artificiale për të marrë përgjigjet. Ai kishte gabuar vetëm në njërën nga 160 pyetjet.
Rasti bëri që autoritetet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme vetëm pak ditë para provimit universitar, ku këtë vit morën pjesë rreth 500 mijë studentë.
Gjatë provimit, autoritetet dërguan tri alarme emergjente në të gjithë vendin, përmes sistemit kombëtar të njoftimeve për fatkeqësi. Alarmet aktivizuan telefonat edhe kur ata ishin në heshtje, përfshirë edhe pajisjet e turistëve që përdornin internet përmes roamingut.
Përveç kësaj, kandidatëve iu kërkua të mbulonin kopsat e këmishave dhe xhaketave, për të parandaluar përdorimin e kamerave të fshehta, ndërsa iu kontrolluan edhe syzet për pajisje të mundshme inteligjente.
Sipas Ministrisë së Arsimit, 111 kandidatë u kapën me pajisje inteligjente të palejuara gjatë provimit të këtij viti.
Duke njoftuar dorëheqjen, Choi deklaroi se nuk mund t’i shmangej përgjegjësisë për mungesën e përgatitjeve paraprake dhe konfuzionin e shkaktuar nga masat e marra në minutat e fundit.
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, e ka pranuar dorëheqjen e ministrit.
Provimi “Suneung” zgjat deri në nëntë orë dhe konsiderohet vendimtar për të ardhmen akademike dhe profesionale të miliona të rinjve në Korenë e Jugut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





