Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka konstatuar ndërhyrje në bllokadën e vendosur ndaj një konsumatori në fshatin Krajk të Prizrenit, për shkak të borxhit të papaguar prej 2 mijë e 56 eurosh.

Sipas njoftimit të kompanisë, rasti është zbuluar gjatë një inspektimi të realizuar nga ekipet e KRU “Gjakova”, përkatësisht njësia e saj në Prizren.
Gjatë kontrollit është konstatuar se ishte ndërhyrë në bllokadën e vendosur nga kompania për shkak të obligimeve të papaguara financiare.
Lidhur me rastin, ekipet kanë përpiluar procesverbal dhe kanë siguruar edhe dëshmi fotografike.
KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se ndërhyrjet në bllokadat e vendosura nga kompania nuk do të tolerohen, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë në të gjitha zonat e saj të shërbimit.
Po ashtu, kompania ka paralajmëruar se ndaj konsumatorëve që nuk i përmbushin obligimet financiare do të ndërmerren masa në përputhje me dispozitat ligjore. /Telegrafi/




