Një simbol që përcjell mesazhin e pranimit, barazisë dhe përfshirjes është vendosur në shëtitoren “Kej” në Mitrovicë të Jugut. Instalacioni “Kromozomi 21” vë në fokus të drejtat e personave me sindromin Down, ndërsa përfaqësuesit e “Down Syndrome Kosova” kanë kërkuar më shumë mbështetje institucionale për këtë komunitet dhe për personat e tjerë me aftësi të kufizuara.

Menaxheri i qendrës së “Down Syndrome Kosova” në Mitrovicë, Xhenis Beqiri, tha se instalacioni synon të nxisë reflektimin e shoqërisë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe nevojën për përfshirjen e tyre të plotë në shoqëri.
“Kromozomi i vendosur në shëtitoren ‘Kej’, ka për qëllim që njerëzit dhe shoqëria të reflektojnë mbi personat me aftësi të kufizuar, po ashtu të përcjellë mesazhin për përfshirje të plotë si aktorë kyç në shoqëri personat me aftësi të kufizuara intelektuale, përkatësisht të sindromit Down, plotësimin e të drejtave të tyre të plota duke u bazuar në ligjshmërinë e Republikës së Kosovës, prandaj le të qëndrojë ky kromozom këtu për të qenë pjesë e pasqyrimit dhe prezencës së personave me sindromën Down në Mitrovicën e Jugut”, tha Beqiri.
Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri, tha se vendosja e instalacionit në fund të tetorit është planifikuar si simbol i një mesazhi që duhet të përcillet çdo ditë të vitit. Ajo njëkohësisht kërkoi më shumë përkushtim nga komuna për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.
“Ashtu siç e prezantoi edhe Xhenisi, prezencën e ‘kromozomit’, e cila ka për qëllim të përcjellë mesazh që personat me sindromin Down të jenë më të integruar në shoqëri, po ashtu më lejoni ta ndaj edhe një informatë që ky ‘kromozom’ është vendosur duke shënuar edhe muajin tetor, që është muaji i ndërgjegjësimit dhe kemi planifikuar që në fund të muajit tetor të vendoset kromozomi këtu, si shenjë se jo vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë çdo dite, çdo jave, çdo muaji e çdo viti, të punojmë më shumë. Edhe ta them më fort, jo vetëm për komunitetin me sindromin Down, por për të gjithë qytetarët me aftësi të kufizuara në Mitrovicë dhe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Me këtë rast, kisha dashur ta falënderoj drejtorin për prezencën e tij këtu, asamblistët, po ashtu edhe Komunën e Mitrovicës për bashkëpunimin dhe mbështetjen. Po ashtu, nga ky vend këtu, drejtor, unë bëj thirrje edhe njëherë që ta adresoj kërkesën se nevojat e komunitetit tonë janë jashtëzakonisht shumë të mëdha dhe kërkohet një përkushtim shumë më i madh nga komuna, një përkushtim shumë më i madh në raport me shërbimet të cilat ne i ofrojmë si shoqatë, shërbimet terapeutike dhe sociale. Për fat të mirë, po arrijmë që këto shërbime t’i ofrojmë pa i obliguar prindërit të paguajnë. Në anën tjetër, këto shërbime kanë një kosto jashtëzakonisht shumë të lartë financiare. Po dua me shpresë dhe po ashtu po besoj, meqenëse prezenca juaj këtu flet shumë, që Komuna e Mitrovicës do t’i trajtojë me prioritet kërkesat e komunitetit me sindromën Down”, tha Beqiri.
Drejtori i Mirëqenies Sociale në Mitrovicë të Jugut, Ramadan Beshiri, tha se kromozomi 21 nuk e kufizon potencialin e personave me sindromin Down, por shërben si kujtesë për shoqërinë dhe institucionet që të rrisin mbështetjen dhe të përcaktojnë politikat sociale në funksion të nevojave të tyre.
“Në një ambient në të cilin ne po e vendosim një simbolikë këtu të ‘kromozomit’, për të treguar se jemi pranë personave me aftësi të kufizuar, jemi pranë komunitetit me sindromën Down. Kromozomi 21 do të thotë se asesi nuk e ndalon potencialin e madh që e kanë personat me sindromën Down, mirëpo na ndërgjegjëson ne se si duhet të sillemi me këtë komunitet e t’i bëjmë prioritet politikat tona sociale, sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara e përgjithësi qytetarët të cilët janë me aftësi të kufizuara. Unë, si drejtor i Mirëqenies Sociale, që nga ardhja ime në mandatin e ri qeverisës, tash po shkojmë 10 muaj, në planin tim social dhe familjar, pikën qendrore e kam përkrahjen për fëmijë me aftësi të kufizuara. Përveç fëmijëve me aftësi të kufizuara, ne me krejt OJQ-të këtu brenda Mitrovicës së Jugut, jemi duke u munduar maksimalisht për t’iu qëndruar afër secilës kategori të personave me aftësi të kufizuara. Me Xhenis Beqirin e kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Përveç që e kemi bashkëpunëtor për shkak se jemi në drejtorinë përkatëse dhe kemi bashkëpunim, e kemi edhe një bashkëpunim shoqëror, edhe jemi së bashku nga profesioni i sociologut dhe po mundohemi me bo punë të mira. Përkrahja që dje Kuvendi Komunal së bashku me dy asamblistë, ku së bashku dhe unanimisht e votuam pro për 100 euro për fëmijët me sindromin Down, ndoshta është një përkrahje simbolike, mirëpo e tregon që Komuna e Mitrovicës është përkrah jush. Më herët kemi bërë përkrahje edhe për fëmijët autikë me nga 50 euro, 51 fëmijët autikë. Të gjitha kategoritë do të mundohemi, në secilën fazë të caktuar, t’i prekim me përkrahjen tonë”, tha Beshiri.
Instalacioni synon të shërbejë si simbol i ndërgjegjësimit për të drejtat e personave me sindromin Down dhe personave të tjerë me aftësi të kufizuara, si dhe si thirrje për përfshirje më të madhe të tyre në jetën shoqërore dhe institucionale. /kp/




