Deputetet e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti Selimi dhe Besa Kabashi Ramaj, po marrin pjesë në Sesionin e 72-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Shqipe Mehmeti Selimi, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqëse e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, ka bërë të ditur se së bashku me delegacionin kosovar po përfaqësojnë vendin në këtë platformë të dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në diskutimet për sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar, njofton Klankosova.tv.
Mehmeti Selimi ka theksuar gjithashtu se Kosova synon të fuqizojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, të avancojë bashkëpunimin parlamentar dhe të riafirmojë orientimin euroatlantik.
Ajo ka potencuar se Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj në fushën e sigurisë, si partnere e NATO-s dhe e Asamblesë së saj Parlamentare.





