Ministria e Financave ka publikuar në Gazetën Zyrtare Udhëzimin Administrativ (MF) Nr. 03/2026, përmes të cilit plotësohet dhe ndryshohet udhëzimi i vitit 2018 për vlerësimin e rrezikut kombëtar nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.

Udhëzimi i ri, i nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, përcakton kërkesa shtesë për raportimin e strukturës institucionale dhe procedurave që lidhen me parandalimin e këtyre veprave.
Përmes nenit 3 të udhëzimit, në nenin 4 të aktit bazë janë shtuar dy paragrafë të rinj, 1.6 dhe 1.7.
Paragrafi 1.6 parasheh raportimin për strukturën institucionale dhe procedurat e përgjithshme të sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Në këtë raportim përfshihen Njësia e Inteligjencës Financiare, autoritetet tatimore dhe prokuroritë, si dhe të dhënat për burimet njerëzore dhe financiare të ndara për këto institucione, për aq sa informacioni është në dispozicion.
Ndërkaq, paragrafi 1.7 përcakton raportimin për përpjekjet kombëtare dhe burimet e alokuara në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përfshirë numrin e punonjësve dhe buxhetin e ndarë.
Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet synojnë plotësimin e udhëzimit të vitit 2018 dhe transpozimin e plotë të Direktivës së Bashkimit Evropian 2015/849, të ndryshuar me Direktivën (BE) 2018/843.
Këto direktiva lidhen me parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




