Kori Siparantum do të prezantojë Kosovën në një prej festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare të muzikës korale, “Songs of Europe”, që mbahet nga 19 deri më 23 nëntor 2026, në Pragë të Çekisë.

Përgjatë pesë ditëve të festivalit, kori kosovar do të realizojë katër paraqitje koncertale në disa prej hapësirave më të njohura koncertale dhe kulturore të kryeqytetit çek, duke sjellë para publikut ndërkombëtar artin koral dhe krijimtarinë muzikore bashkëkohore.
Rrugëtimi koncertal i Korit Siparantum nis sonte, në orën 18:00, me koncertin mirëseardhës në sallën koncertale të Konservatorit të Pragës (Pražská konzervatoř). Më 20 nëntor, kori do të prezantohet në dy koncerte: në orën 14:00, në Kostel svatého Martina ve zdi, me koncertin “Siparantum Choral Concert”, ndërsa në orën 21:30, në Kostel U Salvátora, do të jetë pjesë e koncertit “EUPHONIA”, së bashku me kore nga Gjermania dhe Greqia. Paraqitja e katërt dhe përmbyllëse mbahet më 21 nëntor, në orën 15:00, në Smetana Hall, në kuadër të koncertit gala “Songs of Europe”.
Për realizimin e këtij përfaqësimi, Kori Siparantum ka shprehur mirënjohje të veçantë për Ambasadën e Republikës së Kosovës në Republikën e Çekisë, veçanërisht për ambasadoren Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, për mbështetjen dhe përkushtimin e saj. Falënderime janë adresuar edhe për ChoralSpace, donatorët, sponsorët dhe të gjithë përkrahësit që kontribuuan në realizimin e këtij rrugëtimi artistik. /KlanKosova.tv






