Ministri i Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.

Në një konferecnë të përbashkët, Konjufca e ka cilësuar takimin si të rëndësishëm dhe produktiv, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën që nga njohja e pavarësisë.
“Zvicra ka qenë nga fillimi partnere e palëkundur e Kosovës që nga njohja e pavarësisë sonë. Ka mbështetur zhvillimin tonë dhe angazhimin ndërkombëtar. E çmojmë thellësisht këtë miqësi”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke e cilësuar atë si pjesë të pandashme të historisë së Kosovës dhe një lidhje të veçantë ndërmjet dy shteteve.
“Sot mërgata e Kosovës në Zvicër është shumë më tepër se një urë lidhëse mes dy vendeve tona, është pjesë e pandashme e historisë sonë”, ka theksuar ai, duke shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe mbështetjen që Zvicra u ka ofruar bashkatdhetarëve ndër vite.
Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, Konjufca ka vlerësuar programin zviceran të bashkëpunimit për periudhën 2026-2029, si dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes së tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra.
Sipas tij, kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për bizneset dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, të cilat Kosova synon t’i shfrytëzojë në interes të të dy popujve.
Konjufca ka vlerësuar edhe mbështetjen e Zvicrës për rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Ai ka përmendur gjithashtu kontributin e kontingjentit zviceran në kuadër të KFOR-it, duke theksuar se prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i Zvicrës janë të rëndësishme për sigurinë dhe paqen në Kosovë. /Telegrafi/




