Një kongresist republikan planifikon të detyrojë këtë javë mbajtjen e një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin përmes procedurës së fajësimit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës së SHBA-së.
“Duke u përfshirë në luftime në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi kongresisti Thomas Massie.

Nisma ka pak gjasa të ketë sukses, pasi republikanët do të vazhdojnë ta kontrollojnë Kongresin deri në janar. Megjithatë, Massie thotë se dëshiron ta shtyjë presidentin Donald Trump që ta shkarkojë Hegsethin përpara se demokratët të nisin procedurën e tyre të fajësimit.
Hegseth, i cili të martën do të mbajë një konferencë për media lidhur me nismën e Massiet, tha se nuk është i shqetësuar.
Massie e paraqiti zyrtarisht të hënën pasdite rezolutën me pikat e fajësimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Po e bëj këtë sepse është gjëja e duhur për t’u bërë”, u tha ai gazetarëve pas paraqitjes së rezolutës.
“Ne nuk jemi të shqetësuar për këtë”, tha Hegseth të hënën, kur u pyet nga gazetarët për nismën, duke shtuar se të martën në mëngjes do të mbajë një konferencë për media “pikërisht për këtë çështje”.
Konferenca e fundit për media e Hegsethit ishte mbajtur në maj. Massie, i cili humbi garën për rizgjedhje në fillim të këtij viti, ka qenë kritik ndaj Trumpit dhe luftës në Iran që nga fillimi i saj, gati nëntë muaj më parë. Ai njihet gjithashtu për presionin ndaj administratës që të publikojë dosjet federale lidhur me Jeffrey Epstein, të dënuarin tashmë të ndjerë për krime seksuale.
Kongresisti nga Kentaki i kishte paraqitur për herë të parë pikat e fajësimit në shtator, ndërsa tani po kërkon votim pas humbjes së kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nga republikanët në zgjedhjet e mesmandatit të javës së kaluar.
Ai ka thënë se nisma për largimin e Hegsethit nga administrata synon të parandalojë një spektakël politik nga demokratët vitin e ardhshëm.
“Nisma ime për fajësimin e sekretarit Hegseth është një version shumë më i butë i asaj që do të ndodhë kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit vitin e ardhshëm. Ata do të organizojnë seanca dëgjimore dhe gjykime”, tha Massie në një deklaratë.
“Presidenti Trump duhet ta zëvendësojë sekretarin Hegseth tani, derisa ende mund ta konfirmojë në Senat pasardhësin e tij”, shtoi ai.
Fajësimi i një sekretari të kabinetit qeveritar është shumë i rrallë në SHBA. Për shkarkimin e tij, procedura duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit. Fillimisht, Dhoma e Përfaqësuesve voton për akuzat ndaj Hegsethit, ndërsa më pas Senati zhvillon gjykimin për të vendosur nëse ai duhet të shpallet fajtor apo të lirohet nga akuzat.
Në historinë e SHBA-së, Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për fajësimin e vetëm dy anëtarëve të kabinetit qeveritar, por Senati nuk e ka dënuar asnjërin prej tyre.
Tani që Massie e ka paraqitur rezolutën, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duhet të caktojë brenda dy ditësh kohën për shqyrtimin e saj. Përveç votimit të drejtpërdrejtë, Dhoma ka mundësinë ta dërgojë rezolutën në një komision ose ta lërë mënjanë.
Massie pritet të ketë mbështetjen e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve. Udhëheqësi i tyre, Hakeem Jeffries, deklaroi të dielën se është plotësisht pro fajësimit. Megjithatë, Massie duhet të sigurojë edhe mbështetjen e anëtarëve të partisë së tij.
Ai u tha gazetarëve se nuk është i sigurt nëse nisma ka mbështetje të mjaftueshme për t’u miratuar.
Peter Loge, profesor i çështjeve publike në Universitetin George Washington, i tha BBC-së se rezoluta ka gjasa të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, për shkak të shumicës së ngushtë republikane.
“Ka mjaft republikanë të zemëruar që mund të mos paraqiten fare për të votuar”, shtoi ai.
Aktualisht, në Dhomën e Përfaqësuesve janë 218 republikanë dhe 214 demokratë.
Në Senat kërkohet shumicë prej dy të tretash për shpalljen fajtor të Hegsethit, një prag që do të jetë vështirë të arrihet gjatë mandatit aktual të Kongresit. Edhe pasi demokratët të marrin kontrollin në janar, ata nuk do të kenë mjaftueshëm vende për ta dënuar Hegsethin pa mbështetjen e republikanëve.
Në dokumentin e fajësimit, Massie e akuzon gjithashtu Hegsethin për frikësimin e kritikëve të administratës Trump, rrëmbimin e udhëheqësve të huaj dhe shpërfilljen e rezolutave të Kongresit për kompetencat e luftës.
Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar disa herë këtë vit një rezolutë për kompetencat e luftës, e cila synon ta ndalojë Trumpin të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake në Iran. Massie e ka mbështetur këtë nismë. Edhe Senati kishte miratuar një rezolutë të tillë gjatë verës.
Loge tha se gjasat që Hegseth të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të Trumpit janë “mjaft të vogla”, por ai pret që sekretari të largohet nga detyra dhe jo të shkarkohet përmes procedurës së fajësimit.
“Sekretari Hegseth ka një personalitet të fortë dhe nuk jam i sigurt nëse do të doja të isha një personazh i tillë që tërheq vëmendjen e presidentit Trump këto ditë. Kjo nuk është mënyrë për të garantuar sigurinë e vendit të punës”, tha Loge për BBC-në.
Burimi: RTKLive




