Komuna e Rahovecit ka njoftuar se të enjten, më 19 nëntor 2026, priten erëra të forta nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa gjatë vrullit të erës shpejtësia mund të jetë edhe më e lartë.

Në njoftimin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), qytetarëve u bëhet thirrje që të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës.
Drejtoria rekomandon që qytetarët të sigurojnë objektet dhe sendet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të jashtme, si dhe të kontrollojnë tabelat reklamuese, skelat dhe strukturat e tjera që mund të rrëzohen nga era.
Po ashtu, qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin qëndrimin pranë drunjve, objekteve dhe strukturave të paqëndrueshme, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj erërave të forta.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta përcjellë situatën dhe, në rast të ndryshimit të kushteve meteorologjike, do t’i informojë qytetarët me kohë.
Në fund, institucionet komunale kanë apeluar te qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve për të parandaluar situatat e rrezikshme. /Telegrafi/





