Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, i drejtuar nga Arben Mustafa, ka miratuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë prezantimit të vendimit bëri të ditur se masat do të jenë në fuqi për 60 ditë dhe synojnë përballimin e sfidave në furnizimin me energji.

Ndër masat e parapara është obligimi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” për të përshtatur dhe rritur prodhimin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut, sipas mundësive teknike. Po ashtu, do të themelohet Komiteti Teknik Emergjent, i cili do t’i rekomandojë Qeverisë dhe Ministrisë masat për përballimin e krizës.
Rizvanolli tha se institucionet publike do të obligohen të ndërmarrin veprime për kursimin e energjisë elektrike, ndërsa përmendi si sfida çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare, problemet me njësinë B1 të Termocentralit “Kosova B” dhe bllokimin e linjave ndërlidhëse me Serbinë.
Ajo bëri të ditur se përmes obligimit të shërbimit publik për KEK-un janë siguruar kapacitete ndërkufitare me çmime të favorshme.
Pas diskutimeve dhe përgjigjeve të ministres ndaj vërejtjeve të deputetëve, Komisioni e miratoi vendimin për masat emergjente.
Burimi: RTKLive





