Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është pritur nga komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Roberto Vergori.

Sipas njoftimit të KFOR-it, vizita rikonfirmon angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.
Gjatë takimit, dy gjeneralët diskutuan procesin e optimizimit të misionit të KFOR-it, i cili bazohet në vlerësimin e zhvillimeve pozitive në mjedisin e sigurisë.
KFOR-i ka bërë të ditur se çdo ndryshim në madhësinë dhe përbërjen e misionit do të realizohet në mënyrë graduale dhe të kalibruar, duke u mbështetur në vlerësimet e vazhdueshme të situatës në terren.
Megjithatë, misioni ka theksuar se këto përshtatje do të mbeten të kthyeshme në rast të zhvillimeve të rëndësishme që mund të ndikojnë në sigurinë lokale dhe stabilitetin rajonal.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Grynkewich dhe Vergori zhvilluan takime edhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Listës Serbe. Në këto takime u theksua se siguria e qëndrueshme kërkon zgjidhje politike, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim.
Vizita përfundoi në Manastirin e Graçanicës, ku dy gjeneralët u takuan me përfaqësues fetarë.
Në përfundim, KFOR-i rikonfirmoi se do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij të përcaktuar nga OKB-ja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




