Përveç rasteve specifike kur arma me leje është objekt i kryerjes së veprës penale, për zyrtarët policorë në terren është thuajse e pamundur që jashtë orarit administrativ të bëjnë verifikimin nëse një person që ka kryer vepër tjetër penale, posedon apo jo armë me leje.

Kjo pasi që në sistemin e verifikimit SIPK të data bazës së Policisë së Kosovës, tek informacionet mbi personat nuk figuron rubrika nëse personi posedon apo jo armë me leje.
Ndërsa edhe brenda orarit zyrtar, mbetet në vullnetin e zyrtarit policorë për ta verifikuar secilin person të dyshuar tek zyrtari i vetëm përgjegjës që ka qasje në data bazën e lejeve për lejeve për armë.
“Realisht nga terreni është e pamundur kjo të bëhet, sepse databaza ku janë armët e regjistratura është pronë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në të ka qasje vetëm një person, ku bën regjistrimin e dokumenteve me të cilat aplikojnë palët për tu pajisë me leje për armë. Ata punojnë orar administrative prej 8 deri në 16 e hanë e premte. Kurse policët ne terren janë në terren 24 orë dhe nuk mujnë me pas qasje dhe me bë verifikimin për me pa nëse leja është e falsifikuara apo jo”, ka thënë komandanti i stacionit policor në Suharekë, Safet Hoxha.
Por problemi me armët me leje, qëndron nga bërthama.
Gazetarja e emisionit hulumtues “Dosja” muaj më parë pati raportuar se procesi i kontaminuar i lejeve me armë gjenezën e kishte nga certifikatat shëndetësore, pasi Spitali i Prizrenit i lëshonte ato pa kryer kontrolla fare, e deri tek marrja testit me shkrim dhe praktik në poligone me ryshfet, në disa raste edhe pa u paraqitur fare.
Një rast konkret pati qenë ai i Arben Boletinit, të cilit QKUK ia pati pamundësuar pajisje me leje, duke ia mohuar këtë drejtë në certifikatën shëndetësore.
Por, disa javë pas, i njëjti kishte arritur të merrte miratimin e ekspertëve shëndetësore nga Spitalit i Prizrenit.
Më pas ndaj tij kishin filluar hetimet.
Ndërsa si rezultat i raportimit të gazetares tash të emisionit DOSJA, MPB përveç që nuk i kishte lëshuar lejen e dytë për armë Boletinit, atij i është marrë edhe leja e parë së bashku me armën.
Burime të DOSJA kanë treguar se Boletinit I ishte kërkuar riverifikimi shëndetësor, mirëpo i njëjti nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të QKUK-së.
“Megjithatë, referuar kërkesës tuaj, ju informojmë se i dyshuari A.B., është duke u hetuar në kuadër të një hetimi kompleks, së bashku me persona të tjerë, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Raporti i fundit policor lidhur me këtë çështje është pranuar më 06.11.2026, ndërsa më 18.11.2026, përmes postës elektronike, prokurorja e rastit ka pranuar raportin plotësues, si dhe vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për sekuestrimin e lejeve të armëve dhe të armëve që posedon A.B. Po ashtu, përmes hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKE) në Prizren, janë siguruar të gjitha informatat përkatëse nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Fushë Kosovë. Të gjitha informacionet dhe provat e siguruara janë duke u trajtuar nga Prokuroria, në kuadër të procedurës hetimore” thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Burime të emisionit DOSJA kanë treguar se Boletini është i përfshirë në mbi 30 incidente, në shumicën e të cilave figuron si i dyshuar kryesisht për kanosje, lëndim trupor, prezantim i rrem si person zyrtar e mosmarrëveshje në familje.
Ndërsa, në një rast Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosova i kishte shqiptuar edhe trajtim të detyrueshëm psikiatrik.
DOSJA ka tentuar të marrë përgjigje nga Boletini, mirëpo nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe shkrimeve të redaksisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





