Një klinikë private në Prishtinë ka kryer procedura të transplantit të flokëve, transplantit të vetullave dhe terapisë PRP pa licencën përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë. Në regjistrat e saj, inspektorët kanë gjetur rreth 300 pacientë që kishin marrë këto shërbime. Për shkeljet, klinika është gjobitur me 2 mijë euro dhe është urdhëruar t’i ndalojë menjëherë këto procedura.

Megjithatë, disa muaj pas vendimit të Inspektoratit Shëndetësor, klinika vazhdon t’i promovojë këto shërbime në rrjetet sociale.
Ndërsa mbetet e paqartë nëse ndërkohë është pajisur me licencën e nevojshme, drejtuesit e saj nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Insajderi.
Bëhet fjalë për institucionin privat shëndetësor “Trandevue SH.P.K.”, ambulancë specialistike e dermatologjisë, me themelues Abdulalban Musliu, në Prishtinë.
Insajderi ka siguruar vendimin zyrtar të Inspektoratit Shëndetësor, i cili është nxjerrë pas një inspektimi të planifikuar në këtë institucion.
Sipas gjetjeve të inspektorëve, klinika kishte ofruar shërbime mjekësore që nuk i kishte të licencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në mesin e tyre ishin transplanti i flokëve, transplanti i vetullave dhe terapia me plazmë (PRP).
Gjatë kontrollit në terren, inspektorët kanë shqyrtuar edhe regjistrat e brendshëm të klinikës. Nga verifikimi kanë konstatuar se rreth 300 pacientë kishin marrë këto shërbime, ndonëse institucioni nuk posedonte licencën përkatëse.
“Gjatë kohës së inspektimit dhe bazuar në regjistrin e pacientëve, Inspektorati Shëndetësor i Republikës së Kosovës konstatoi se rreth 300 pacientë kanë marrë shërbime të palicencuara në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga verifikimi i burimeve publike të institucionit “Trandevue”, u konstatua se ky institucion ka reklamuar në mënyrë aktive shërbimet e transplantit të flokëve, duke krijuar perceptimin e ofrimit të rregullt të këtyre shërbimeve për publikun“, thuhet në vendim.
Përveç ofrimit të procedurave, inspektorët kanë evidentuar se transplanti i flokëve ishte përfshirë edhe në çmimoren e brendshme të klinikës. Po ashtu, institucioni i promovonte këto shërbime përmes reklamave për publikun.
Për këto shkelje, Inspektorati Shëndetësor i ka shqiptuar “Trandevue SH.P.K.” gjobë prej 2 mijë eurosh.
Përveç gjobës, klinikës i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë së transplantit të flokëve, transplantit të vetullave dhe terapisë PRP, deri në pajisjen me licencë nga organet kompetente.
Klinika nuk përgjigjet, reklamat vazhdojnë
Përkundër vendimit të Inspektoratit, shërbimet e transplantit të flokëve dhe procedurat e tjera vazhdojnë të shfaqen në materialet promovuese të klinikës në rrjetet sociale.
Për të sqaruar këtë çështje, Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje zyrtare udhëheqjes së “Trandevue SH.P.K.” dhe themeluesit të saj, Abdulalban Musliu.
Redaksia ka kërkuar të dijë se si e arsyetojnë ofrimin e procedurave pa licencë, përmes të cilave janë trajtuar rreth 300 pacientë, nëse e kanë zbatuar urdhrin e Inspektoratit për ndërprerjen e menjëhershme të tyre dhe nëse janë pajisur ndërkohë me licencën përkatëse.
Po ashtu, Insajderi ka kërkuar sqarime nëse gjoba prej 2 mijë eurosh është paguar apo nëse klinika ka ushtruar ankesë ndaj vendimit.
Deri në publikimin e këtij teksti, “Trandevue SH.P.K.” nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.
Burimi: Insajderi




