Komuna e Klinës ka publikuar rezultatet e përzgjedhjes së përfituesve për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive private të familjeve dhe individëve të cenueshëm, në kuadër të projektit “Banimi Social Adekuat”.

Sipas njoftimit të komunës, procesi është zhvilluar në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar më 23 dhjetor 2024 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komunës së Klinës.
Rezultatet janë publikuar pas verifikimit të aplikimeve nga Njësiti i Implementimit të Projektit dhe vlerësimit nga Komisioni Vlerësues i Komunës, në koordinim me Njësitin e Menaxhimit të Projektit në ministri.
Komuna ka bërë të ditur se publikimi i rezultateve synon të sigurojë transparencë, barazi dhe paanshmëri në procesin e përzgjedhjes së përfituesve.
Lista zyrtare e përfituesve dhe rezultatet e procesit të vlerësimit janë bashkëngjitur në njoftimin e komunës. /Telegrafi/




