I dyshuari për vrasjen e S. D në Suharekë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

S.D ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit pa shenja jete, ku pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta reanimuar, nuk ka arritur të mbijetojë.
Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, bëri të ditur se viktima lindur në vitin 1967, është sjellë në Emergjencë nga ekipi i urgjencës së Suharekës, më 18 nëntor, rreth orës 12:50.
Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit mjekësor janë konstatuar disa plagë në trup, të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Ekipi i Emergjencës, së bashku me kirurgun dhe anesteziologun kujdestar, kanë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për reanimim kardiopulmonar, por përpjekjet kanë rezultuar pa sukses dhe është konstatuar vdekja e tij.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka vazhduar me procedurat dhe veprimet e mëtejshme ligjore.
Burimi: Insajderi




