Kim Kardashian u shfaq në premierën e sezonit të dytë të serialit All’s Fair, të mbajtur të shtunën në Auditorium Parco della Musica në Romë, me një fustan të Yves Saint Laurent nga koleksioni i vitit 1998.

Ylli 46-vjeçar zgjodhi një model të ngushtë me rripa të hollë dhe print leopardi, të cilin e kombinoi me një shall prej shifoni me të njëjtin motiv, të vendosur mbi supe, si dhe me taka të zeza.
Në tapetin e kuq ajo u shoqërua nga koleget Naomi Watts dhe Sarah Paulson. Watts veshi një fustan të zi prej sateni nga Roksanda, me motive që ngjanin me spërkatje boje dhe fund dramatik, ndërsa Paulson zgjodhi një fustan të bardhë të personalizuar nga Miu Miu, të zbukuruar me rruaza.
Në serialin e krijuar nga Ryan Murphy, Kardashian luan Allura Grant, një avokate e specializuar në çështjet e divorcit në Los Angeles.
Naomi Watts interpreton Liberty Ronson, bashkëthemeluese të firmës ligjore, ndërsa Sarah Paulson luan avokaten rivale Carrington Lane. Sezoni i dytë pritet të publikohet në Disney+ më 4 nëntor.
Në premierë ishte e pranishme edhe Kris Jenner, nëna e Kim Kardashian, e cila u shfaq me një pelerinë të zezë të frymëzuar nga një krijim i stilistit Tiziani Roma, i veshur dikur nga Elizabeth Taylor.
Pavarësisht kastit të njohur, sezoni i parë i All’s Fair mori kritika të ashpra nga disa recensues, të cilët vunë në pikëpyetje si skenarin, ashtu edhe interpretimin e Kardashian, e cila është gjithashtu producente ekzekutive e serialit. /Telegrafi/




