Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka mbajtur dëgjim publik të mërkurën për Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, ku u diskutua për mbrojtjen e konsumatorëve, konkurrencën në treg dhe rregullimin e sektorit energjetik në Kosovë, raporton KosovaPress.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se synimi i këtyre dy projektligjeve është krijimi i një sektori të qëndrueshëm të energjisë dhe integrimi i tij në tregun pan-evropian.
Ai përmendi disa nga risitë që, sipas tij, sjellin projektligjet, përfshirë mbrojtjen e veçantë për konsumatorët e cenueshëm, krijimin e bazës për kategorizimin e tyre dhe mbështetjen për të parandaluar varfërinë energjetike.
Mjeku tha se projektligjet synojnë edhe mbrojtje më të madhe të konkurrencës, duke parandaluar monopolet dhe abuzimin me pozitën dominuese, me qëllim që çmimet të jenë më të drejta. Si risi për Kosovën, ai përmendi edhe rregullimin e baterive, të cilat i cilësoi të domosdoshme për balancimin e sistemit dhe integrimin e energjisë së ripërtëritshme.
“Vizioni ynë është me pasë një sektor të energjisë të qëndrueshëm dhe të integruar në tregun pan-evropian. Për këtë qëllim duhet me balancu trekëndëshin e interesave që fillojnë me mbrojtjen e mjedisit, vazhdojnë me sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë e kostos… Në radhë të parë po i përmendi përparësitë që konsumatorët do t’i kenë me këto dy ligje të reja. Kemi paraparë mbrojtje të veçantë për konsumatorët e cenueshëm. Për herë të parë krijohet baza për kategorizimin e tyre dhe mbështetjes që duhet t’u përgjigjet konsumatorëve në mënyrë që ata t’i shmangin pasojat e varfërisë energjetike… Parashohim një mbrojtje më të madhe të konkurrencës. Me ndalu monopolin dhe abuzimin e pozitës dominuese. Kjo ndikon që çmimet të jenë më të drejta… Në radhë të tretë, që është risi për Kosovën, është rregullimi i baterive. Bateritë shihen si një domosdoshmëri për me balancu sistemin dhe mundësuar energjinë e ripërtëritshme”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Arben Mustafa, tha se korniza ligjore duhet të krijojë kushte për funksionimin e tregut, furnizim të qëndrueshëm dhe konkurrencë të drejtë, si dhe të mundësojë investime të reja në sektor.
Sipas Mustafës, legjislacioni duhet të garantojë qartësi dhe siguri juridike për pjesëmarrësit në treg, duke ruajtur një balancë ndërmjet zhvillimit të sektorit, mundësive për biznese dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
“Korniza ligjore duhet të krijojë kushte për një treg funksional dhe furnizim të qëndrueshëm. Po ashtu, konkurrencë të drejtë dhe investime të reja. Njëkohësisht, korniza ligjore duhet të garantojë qartësi dhe siguri juridike për pjesëmarrësit në treg dhe balancë të drejtë ndërmjet zhvillimit të sektorit, mundësive për biznese dhe mbrojtjes së konsumatorit”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha se miratimi i këtyre ligjeve është vonuar për të paktën tre vjet.
Abazi vlerësoi se pakoja ligjore është e paplotë pa Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, i cili, sipas tij, është ende në procedurë. Ai ngriti shqetësimin se dy projektligjet përcaktojnë detyrime të reja për tregun, zbatimi i të cilave i ngarkohet Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), pa u përfunduar edhe korniza ligjore që rregullon vetë institucionin.
“Jemi vonë për së paku tre vite me këto ligje. Dua të them që u përmend pak që kjo pako është e paplotë pa Ligjin për Rregullatorin e Energjisë. Ndonëse është në procedurë, ne konsiderojmë se me këto dy projektligje po përcaktojmë detyrime të reja për tregun dhe po ia ngarkojmë zbatimin e tyre ZRRE-së, pa e pasur edhe ligjin e tyre që e rregullon. Kërkojmë që së paku sponsorizuesja t’ia japë grupit të punës një lloj pasqyre se cila prej këtyre dispozitave të dy neneve ndërlidhet edhe me ligjin i cili do të vijë edhe në pako të saj”, përfundoi ai.
Miratimi i këtyre ligjeve është përfshirë edhe si pjesë e reformave në kuadër të Planit të Rritjes. /KP/




