“Kërkesa për palbociclib u dyfishua, tenderi i parë dështoi”, Vitia shpjegon mungesën e barnave në Onkologji

“Kërkesa për palbociclib u dyfishua, tenderi i parë dështoi”, Vitia shpjegon mungesën e barnave në Onkologji

“Kërkesa për palbociclib u dyfishua, tenderi i parë dështoi”, Vitia shpjegon mungesën e barnave në Onkologji

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se mungesa e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026 është shkaktuar nga rritja e kërkesave për këtë medikament, ndërsa tenderi i parë për furnizim kishte dështuar për shkak të mungesës së ofertuesve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Sala Jashari, në interpelancën lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, Vitia tha se palbociclib është përfshirë për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025.

Sponsor 3M Express

Sipas tij, fillimisht ishte planifikuar furnizimi për 40 pacientë, bazuar në kërkesat e Klinikës së Onkologjisë. Kontrata ishte lidhur më 17 korrik 2025, ndërsa furnizimi i parë kishte arritur në barnatoren qendrore në Çekukë në mesin e gushtit të po atij viti.

Vitia shpjegoi se kërkesa për këtë medikament ishte rritur, pasi edhe pacientët që më parë e siguronin atë privatisht, pas përfshirjes në Listën e Barnave Esenciale, kishin filluar ta kërkonin në Klinikën e Onkologjisë.

“Në pyetjen e parë, medikamenti palbociclib është futur për herë të parë në Kosovë në listën e barnave esenciale në vitin për vitin 2025. Menjëherë kanë filluar përgatitjet për sigurimin e tij dhe, duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në klinikën e onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar buxhetin shtesë në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar nga Ministria e Financave. Pas procedurave të nevojshme, kontrata është lidhur me datën 17 korrik dhe, në mes të muajit gusht, ka ardhur për herë të parë ky medikament në barnatoren qendrore në Çekukë. Gjatë kësaj kohe është parë se ka kërkesa më të larta për këtë medikament, pasi që një pjesë e pacientëve të cilët e kanë siguruar më herët privatisht, duke mos qenë në listën e barnave esenciale, kur është futur ky bar në listën e barnave esenciale, kanë filluar normalisht ta kërkojnë këtë medikament në klinikën e onkologjisë”, ka thënë Vitia.

Ministri ka përmendur edhe mungesën e institucioneve funksionale dhe mosmiratimin e buxhetit si pengesa për nisjen me kohë të procedurave të reja të prokurimit. Sipas tij, buxheti ishte miratuar me synimin që të rishikohej në maj ose qershor, por kjo nuk kishte ndodhur pas shpërndarjes së Kuvendit në prill dhe hyrjes në procesin zgjedhor të 7 qershorit.

Ai tha se, si pasojë e dyfishimit të kërkesave, kontrata ishte shpenzuar në masën 130 për qind brenda vetëm nëntë muajve.

“Po ashtu, gjatë vitit 2025, për shkak të mungesës së institucioneve dhe Kuvendit, nuk ka pasur as ndëgjime buxhetore dhe as nuk është miratuar buxheti. Kjo situatë ka vazhduar deri në muajin mars, ku, përkundër kërkesës për rritje të buxhetit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, është kaluar buxheti me synim që në muajin maj-qershor të bëhet rishikimi. Por deputet i nderuar, ky rishikim nuk ndodhi, pasi në muajin prill u shpërnda Kuvendi dhe u futëm në proces zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit. Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj.

Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit dhe transferit të mjeteve, menjëherë kanë filluar procedurat e reja tenderike, marrë parasysh shpenzimin e shpejtë të këtij medikamenti. Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues. Menjëherë pas dështimit të ofertës së parë, është hapur tenderi përsëri me procedura tash të përshpejtuara dhe, me datën 30 korrik 2026, është lidhur kontrata dhe, me datën 18 gusht të këtij viti, ka filluar liferimi në barnatoren qendrore”, ka shtuar Vitia.

Vitia ka pranuar se furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë gjatë vitit 2026 nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025.

Ai ka përmendur si arsye edhe mungesën e autorizimeve të marketingut për disa barna, vonesat në furnizim, dështimin e procedurave tenderike për shkak të mungesës së ofertuesve, si dhe rastet kur ofertat kanë tejkaluar shumën e parashikuar sipas listës zyrtare të çmimeve të barnave.

“Gjatë vitit 2026, furnizimi me barna për nevojat e klinikës së onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e vitit 2024 dhe 2025, për shkak të arsyeve që i përmenda për barin palbociclib. Shkaqet e tjera të evidentuara në këtë mungesë janë disa barna nuk kanë pasur autorizim marketingu. Shkak tjetër, vonesat në furnizim si pasojë e procedurave, dështimet për shkak të mungesës së ofertuesve dhe, në disa raste, tejkalim i shumës së parashikuar bazuar në listën zyrtare për çmimin e barnave”, tha ai.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

SINJALI 24 | Arrestime, dhunë në familje dhe raste të rënda në disa qytete të Kosovës

SINJALI 24 | Arrestime, dhunë në familje dhe raste të rënda në disa qytete të Kosovës

Vitia për mungesën e barnave në Onkologji: Kërkesat u dyfishuan, nuk pati ofertues në tender

Vitia për mungesën e barnave në Onkologji: Kërkesat u dyfishuan, nuk pati ofertues në tender

Viti: Kërkesa për barin për kancer gjini u dyfishua, tenderi dështoi

Viti: Kërkesa për barin për kancer gjini u dyfishua, tenderi dështoi