Qindra shkolla në Itali janë evakuuar gjatë ditëve të fundit, pasi kanë pranuar emaila me kërcënime për vendosjen e bombave. Mesazhet kërcënuese janë dërguar në disa institucione arsimore të mërkurën dhe të enjten, duke shkaktuar alarm të sigurisë në vend, ka raportuar agjencia e lajmeve ANSA.

Vetëm gjatë së mërkurës, të paktën 300 shkolla janë evakuuar, pasi kishin pranuar të njëjtin mesazh kërcënues. Ndërkohë, raste të ngjashme janë raportuar edhe të enjten, kur disa institucione të tjera arsimore janë detyruar të evakuojnë nxënësit dhe stafin.
Këto kërcënime vijnë në një periudhë kur në Evropë janë shtuar shqetësimet për të ashtuquajturën luftë hibride, e cila kohëve të fundit ka shënjestruar edhe sektorë të tjerë, përfshirë supermarketet, bankat, bankat e gjakut, trafikun ajror dhe transmetuesit televizivë.
Sipas një burimi qeveritar, i cili është në dijeni të çështjes, emaili kërcënues ishte nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilajetit të Misoginistanit”.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me autorët e kërcënimeve apo nëse gjatë kontrolleve në shkolla janë gjetur mjete shpërthyese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





