Pesë aeroplanë pasagjerësh janë kontrolluar në Varshavë, Romë dhe Mursia të Spanjës, pas një serie kërcënimesh për bomba të martën. Ndërkohë, edhe një aeroplan që po fluturonte nga Izraeli ka ateruar në aeroportin e Sofjes, në Bullgari, pas një kërcënimi të dërguar përmes postës elektronike, raportojnë mediat lokale.

Një aeroplan i nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës, me destinacion aeroportin Chopin të Varshavës, ka bërë një ulje të paplanifikuar në aeroportin Modlin, ku është kontrolluar nga specialistët. Në bord ndodheshin 181 persona.
Edhe një fluturim i dytë, nga Kopenhaga drejt aeroportit Chopin, është përballur me kërcënim për bombë, raportuan mediat daneze.
Ndërkohë, një aeroplan i kompanisë Ryanair, që po fluturonte nga Mançesteri, ka bërë ulje emergjente në aeroportin e Mursias, në jug të Spanjës, pas një tjetër kërcënimi për bombë.
Këto incidente ndodhin një ditë pasi një aeroplan që fluturonte nga Londra drejt Sofjes u detyrua të ateronte në Hungari, për shkak të një kërcënimi me bombë.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim për këto raste.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali



