Duket si një lojë e thjeshtë me numra, por vetëm kur kronometri fillon të ecë, kuptoni sa e vështirë është të ruani përqendrimin

Në shikim të parë, kjo lojë mendore duket si një detyrë e thjeshtë, të cilën mund ta zgjidhë kushdo që di të numërojë. Mirëpo, kur numrat fillojnë të rrotullohen dhe koha kalon pa mëshirë, do ta kuptoni se sa e vështirë është të ruani përqendrimin dhe të shpërfillni gjithçka që ju tërheq vëmendjen.
Në profilin e Instagramit “That Pickleball Boy” është publikuar një sfidë interesante mendore që zgjat vetëm 60 sekonda. Sipas pretendimeve të autorit, shumica e njerëzve nuk arrijnë as deri te numri 15.
Si zgjidhet kjo lojë mendore?
Qëllimi është që mes numrave që rrotullohen të gjeni numrat sipas renditjes së tyre dhe, brenda një minute, të arrini sa më larg.
Duket e thjeshtë? Prisni derisa ta aktivizoni videon. Ndërsa përpiqeni të gjeni numrin pasues, numrat e tjerë ju shpërqendrojnë dhe sekondat e çmuara kalojnë.
Mos e ndalni videon dhe as mos e ktheni prapa. Qëllimi është të provoni se sa shpejt truri juaj mund t’i përpunojë informacionet nën presion, ndërkohë që pamja përpara jush ndryshon vazhdimisht.
Pse kjo sfidë është veçanërisht interesante për sportistët?
Autori i videos shpjegon se ky lloj ushtrimi mendor është konceptuar për të angazhuar katër aftësi të rëndësishme:
- Përqendrimin nën presion;
- Fleksibilitetin mendor;
- Kujtesën e punës;
- Shpejtësinë e përpunimit të informacionit.
Të gjitha këto aftësi janë të rëndësishme edhe në sport, veçanërisht në situatat kur duhet të merret një vendim brenda një fraksioni të sekondës, të ndiqen disa veprime njëkohësisht dhe të reagohet shpejt ndaj ndryshimeve.
Natyrisht, rezultati i kësaj loje nuk është tregues i inteligjencës dhe as një test i vërtetuar shkencërisht për matjen e aftësive njohëse. Megjithatë, mund të jetë një mënyrë argëtuese për ta aktivizuar trurin dhe për të provuar se sa mirë arrini ta ruani vëmendjen.
Mbajeni mend rezultatin dhe provojeni përsëri nesër
Autori i sfidës sugjeron që ta mbani mend numrin më të lartë deri tek i cili keni arritur, ta përsëritni ushtrimin ditën tjetër dhe t’i krahasoni rezultatet.
Përsëritja mund t’ju ndihmojë të familjarizoheni me lojën, të zhvilloni strategji më të efektshme për kërkimin vizual dhe të zvogëloni shpërqendrimin.
Akoma më interesante bëhet nëse sfidoni familjarët, miqtë apo kolegët që pretendojnë se kanë përqendrim më të mirë se ju.
Përgatituni, aktivizojeni videon dhe mos lejoni që numrat që rrotullohen t’ju ngatërrojnë.
Deri te cili numër arritët brenda 60 sekondave? A ia dolët ta kaloni numrin 15? Na tregoni në komente! /Telegrafi/





