Aktiviteti nis në orën 21:00, në teatrin “London Palladium”, ndërsa vëmendja kryesore është te gara për çmimin e futbollistit më të mirë në botë.
Harry Kane dhe Lamine Yamal përmenden ndër kandidatët kryesorë, ndërsa Kylian Mbappe synon të jetë në mesin e emrave që do të luftojnë për trofeun prestigjioz.

Ceremonia do të prezantohet nga Thierry Henry dhe Kate Scott, ndërsa mysafirët pritet të mbërrijnë nga ora 19:00.
30 kandidatë për “Topin e Artë”
Lista e publikuar nga revista “France Football” përfshin 30 futbollistë, mes tyre emra të njohur si Lionel Messi, Kylian Mbappé, Harry Kane, Lamine Yamal, Erling Haaland, Ousmane Dembele dhe Vinicius Junior.
Gara pritet të jetë e fortë, pasi disa prej kandidatëve kanë pasur sezone të suksesshme me klubet dhe përfaqësueset e tyre. Krahas Kane dhe Yamalit, në mesin e emrave që synojnë çmimin janë edhe Rodri, Fabian Ruiz, Khvicha Kvaratskhelia dhe Mbappe.
Lista e plotë e kandidatëve:
Jude Bellingham, Pau Cubarsi, Ousmane Dembele, Marc Cucurella, Luis Diaz, Bruno Fernandes, Gabriel Magalhaes, Erling Haaland, Harry Kane, Achraf Hakimi, Khvicha Kvaratskhelia, Lamine Yamal, Sadio Mane, Marquinhos, Lautaro Martínez, Kylian Mbappe, Nuno Mendes, Lionel Messi, Joao Neves, Michael Olise, Willian Pacho, Julián Quinones, Declan Rice, Rodri Hernandez, Fabian Ruiz, Ferran Torres, William Saliba, Dayot Upamecano, Vinícius Júnior dhe Vitinha.
Si përcaktohet fituesi?
Çmimi vlerëson paraqitjet individuale gjatë sezonit 2025/26, përfshirë edhe ndeshjet e Kupës së Botës. Fituesi përcaktohet nga një juri gazetarësh të specializuar, të përzgjedhur nga vendet e renditura në listat përkatëse të FIFA-s.
Secili votues përzgjedh dhjetë futbollistë nga lista prej 30 kandidatëve, duke u dhënë pikë sipas renditjes: 15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1. Trofeun e fiton lojtari që grumbullon më shumë pikë.
Çmimet e tjera që ndahen sonte
Përveç çmimeve “Topi i Artë” për meshkuj dhe femra, gjatë ceremonisë do të ndahen edhe disa trofe të tjerë individualë dhe ekiporë.
Trofeu “Kopa” i kushtohet futbollistit të ri më të mirë, çmimi “Yashin” portierit më të mirë, ndërsa trofeu “Gerd Muller” vlerëson golashënuesit më të mirë.
Gjithashtu, çmimi “Johan Cruyff” u dedikohet trajnerëve më të mirë, ndërsa trofeu “Sócrates” vlerëson angazhimin në iniciativa sociale dhe humanitare.
Për çmimin e klubit më të mirë në konkurrencën e meshkujve janë nominuar Paris Saint-Germain, Arsenali, Bayern Munich, Bodø/Glimt dhe Flamengo.
Edicioni i sivjetmë pritet të tërheqë vëmendjen e tifozëve në mbarë botën, me Londrën që për herë të parë bëhet nikoqire e ceremonisë së çmimeve më prestigjioze individuale në futboll.
Burimi: RTKLive




