Republikani Joe Hoxha ka fituar mandatin e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticutit, duke mposhtur kandidatin demokrat Nate Brown me vetëm 164 vota diferencë, sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoxha, i lindur në Tiranë, ka siguruar 4 mijë e 585 vota, apo 50.91%, ndërsa kundërkandidati i tij Brown mori 4 mijë e 421 vota, apo 49.09%. Hoxha fitoi në Plymouth me 400 vota diferencë, por humbi në Bristol me 236 vota.
Fitorja e tij erdhi në një natë të suksesshme për demokratët, të cilët, sipas projeksioneve të CBS News, pritet të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan. Në distriktin fqinj, 77, republikania Cara Pavalock-D’Amato, e cila kishte shërbyer për gjashtë mandate, humbi ulësen e saj.
Ndërkohë, disa kandidatë të tjerë me prejardhje shqiptare nuk arritën të fitojnë garat zgjedhore. Në New York, republikani Diamant Hysenaj humbi përballë kongresmenes Alexandria Ocasio-Cortez në distriktin e 14-të të Kongresit.
Hysenaj, i cili ishte larguar nga Kosova në vitin 1991 dhe ishte vendosur në Bronx, mori 21.54% të votave, kundrejt 78.22% të Ocasio-Cortez, me 97% të rezultateve të numëruara.
Edhe demokrati Shpetim “Tim” Qorraj, i cili kishte ardhur në SHBA nga Kosova në vitin 2011, humbi garën për distriktin e 64-të të Asamblesë së Neë Yorkut. Ai mori 39.33% të votave, ndërsa republikani Michael Tannousis fitoi me 60.53%.
Në Connecticut, republikani Peter Lumaj humbi garën për sekretar të shtetit përballë demokrates Stephanie Thomas, e cila aktualisht mban këtë pozitë.
Me rreth 90% të vendvotimeve të raportuara, Lumaj kishte siguruar 37.53% të votave, ndërsa Thomas 62.47%.
Lumaj kishte kandiduar për të njëjtën pozitë edhe në vitin 2014. Humbje pësoi edhe republikania Alma Sarelli, e cila garonte për një ulëse të hapur në Senatin e Connecticutit, në distriktin e 26-të.
Ajo u mposht nga demokratja Samantha Nestor me 34.6% kundrejt 65.4% të votave. Sarelli e pranoi humbjen gjatë natës së zgjedhjeve, duke i uruar suksese kundërkandidates së saj në punën për distriktin.
Ndërkaq, në Michigan, demokratja Edlira Sako ishte duke humbur garën për distriktin e 24-t të Senatit të shtetit përballë republikanit Doug Ëozniak.
Në numërimin e pjesshëm, me 53 nga 66 vendvotime të raportuara, Sako kishte marrë 37% të votave, ndërsa kundërkandidati i saj 63%.
Rezultatet e publikuara janë jozyrtare dhe do të konsiderohen përfundimtare vetëm pas certifikimit zyrtar./Telegrafi/




