Avni Bytyçi, ish-këshilltari i Kadri Veselit, ka mohuar raportimet se ai dhe avokati Faton Fetahu kanë ndikuar në zhvillimet e fundit lidhur me ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Raportimet pretendonin se kjo ishte bërë me “bekimin” e Uran Ismailit, në kuadër të një beteje të brendshme politike me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.
Bytyçi ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar në Nacionale, duke i mohuar këto pretendime. Ai ka theksuar se si Fetahun, ashtu edhe Grudën, i ka miq.
Në reagimin e tij, Bytyçi ka shprehur keqardhje për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, PDK-ja po e trajton këtë çështje në një periudhë të ndjeshme për ta.
“I vjen keq për Hashimin dhe Kadrinë, që në momentet më të vështira të jetës së tyre, partia e tyre i ka vendosur në peshoren e interesave të ngushta politike”, ka shkruar Bytyçi.
Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e ka cilësuar si shndërrim të përplasjeve të brendshme politike në debat publik.
“Keq për PDK-në që, në këtë fazë kritike në Hagë, ta shndërrojë betejën e brendshme në një betejë të ndyrë publike”, ka deklaruar Bytyçi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




