Irani ka ndërmarrë të martën një sulm me dron ndaj një sistemi radarësh të mbrojtjes ajrore amerikane në Bahrein, ndërsa Garda Revolucionare iraniane pretendon se dy cisterna janë goditur nga mina detare në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas gazetës “Financial Times”, këto incidente përbëjnë një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një kohë kur ndërmjetësit rajonalë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund luftës.
Bahreini ka njoftuar se ka interceptuar disa dronë iranianë, pasi Garda Revolucionare deklaroi se kishte shënjestruar një sistem radarësh amerikan. Në këtë vend ndodhet edhe baza e Flotës së Pestë të Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Sipas Gardës Revolucionare, sulmi ishte një përgjigje ndaj asaj që Teherani e cilësoi si “shkelje” të hapësirës ajrore iraniane nga dronët amerikanë.
Ndërkaq, Forcat e Mbrojtjes së Bahreinit e kanë përshkruar incidentin si vazhdimësi të “qasjes sistematike armiqësore” të Iranit ndaj vendit.
Në një tjetër zhvillim, Garda Revolucionare pretendoi se një supercisternë me naftë bruto dhe një cisternë gazi kishin goditur mina detare në korridoret perëndimore dhe jugore të Ngushticës së Hormuzit, të cilat Teherani i konsideron të paautorizuara. Sipas pretendimit, anijet po shoqëroheshin nga avionë luftarakë amerikanë.
Megjithatë, pretendimi për goditjen e dy cisternave nga minat detare nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, ekspertët e sigurisë detare kanë bërë të ditur se cisterna e gazit të lëngshëm “Tara Gas”, në pronësi të një kompanie nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ishte goditur pranë brigjeve të Omanit të hënën në mbrëmje.
Organizata britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO) raportoi se anija ishte goditur dy herë, ndërsa sulmi i dytë kishte shkaktuar “një zjarr në bord”.
Sipas UKMTO-së, të paktën nëntë anije janë sulmuar në Ngushticën e Hormuzit gjatë dhjetë ditëve të fundit.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur Katari dhe Omani po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Një delegacion nga Katari është takuar të martën me negociatorët iranianë, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka zhvilluar bisedime në Muskat me homologun e tij nga Omani, Badr Albusaidi.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni nuk kishte nevojë për një marrëveshje me Iranin dhe se do të vazhdonte të rriste presionin ekonomik ndaj Teheranit përmes bllokadës detare.
Sipas burimeve të cituara nga “Financial Times”, negociatat vazhdojnë të mbeten të bllokuara për shkak të mosbesimit të thellë mes palëve dhe dallimeve të mëdha lidhur me kushtet e një marrëveshjeje.
Uashingtoni vlerëson se bllokada po e dobëson ekonominë iraniane, ndërsa Teherani beson se mund t’i bëjë ballë presionit ekonomik dhe të vazhdojë të ndikojë në çmimet globale të energjisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





