Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton opinionin publik se në kuadër të mandatit dhe kompetencave ligjore, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.
Këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.

Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim, si dhe veprimet e ndërmarra apo eventualisht të mos ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës.
“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale, nëse konstatohen shkelje apo lëshime gjatë trajtimit të rasteve të raportuara”, njofton IPK.
IPK mbetet e përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor.
Burimi: RTKLive




