Kostoja e jetesës për qytetarët e Kosovës vazhdon të mbetet e lartë. Të dhënat më të fundit të çmimeve të konsumit për muajin tetor tregojnë se inflacioni vjetor ka arritur në 7,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndonëse në krahasim me muajin shtator niveli i përgjithshëm i çmimeve ka mbetur i pandryshuar (0,0%), ndikimi i rritjes vjetore po vërehet dukshëm në xhepat e konsumatorëve, veçanërisht në sektorët bazë.

Goditjen më të madhe e ka pësuar sektori i transportit, ku çmimet janë ngritur me 21,5 për qind brenda një viti. Menjëherë pas tij renditen shpenzimet për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse, të cilat janë shtrenjtuar me 9,7 për qind.
Përballja me çmime më të larta ka prekur edhe shportën e konsumit:
Ushqimet dhe pijet joalkoolike: Rritje prej 3,2% (me një ngritje mujore prej 1,1% gjatë tetorit).
Pijet alkoolike dhe duhani: Shtrenjtim prej 5%.
Restorantet dhe akomodimi: Rritje prej 4,5%.
Kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme: Shtrenjtuar me 3,7%.
Shëndetësia, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake: Rritje prej 2,9%.
Veshjet dhe këpucët: Shtrenjtuar me 2,3%.
E vetmja kategori që ka shënuar ulje vjetore të çmimeve janë shërbimet arsimore, me një rënie minimale prej 0,3 për qind.
Ndërkohë, brenda vetë muajit tetor janë vërejtur lëvizje të ndryshme: derisa shpenzimet për strehim dhe energji u rritën me 1,7 për qind, çmimet e transportit pësuan një rënie mujore prej 2,2 për qind, ndërsa rekreacioni dhe kultura u ulen me 1,4 për qind
Burimi: Sinjali




