Gjykata Speciale në Hagë pritet të nisë në orën 10:00 seancën për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij për pengim të dyshuar të drejtësisë.

Përveç Thaçit, në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.
Të pesë të akuzuarve u është kërkuar të jenë fizikisht të pranishëm në seancë, e cila zakonisht transmetohet me dhjetë minuta vonesë.
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tij dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë në vitin 2023, u ka dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj për Hajredin Kuçin.
Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte. Nëse shpallet fajtor edhe në rastin për pengim të drejtësisë, ai mund të marrë një dënim tjetër.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Rreth 28 orë incizime nga nëntë vizita që Hashim Thaçi ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë janë pjesë e provave të Prokurorisë në rastin për pengim të drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, bisedat e regjistruara gjatë vitit 2023 dëshmojnë se Thaçi u ka dhënë vizitorëve informacione konfidenciale dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Regjistrimet janë bërë me autorizim gjyqësor.
Mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar besueshmërinë e transkripteve dhe interpretimin e bisedave nga Prokuroria, duke kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm.
Burimi: Insajderi





