Një incident i pazakontë ka ndodhur gjatë fundjavës në një furrë buke në Pejë, ku dy persona fillimisht janë përfshirë në një përplasje verbale me një punëtore të lokalit, e më pas kanë fyer dhe sulmuar zyrtarët policorë.

Rastin e ka bërë të ditur korrespondenti i Klan Kosovës, Valdrin Daci, në emisionin “Ora Shtatë”.

Sipas tij, pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë tre zyrtarë policorë, por dy të dyshuarit kanë rezistuar gjatë arrestimit. Si pasojë, një polic është lënduar, njofton Klankosova.tv.
Njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka kërcënuar zyrtarin policor edhe gjatë transportimit për në stacionin policor.
Pas shoqërimit në stacion, është konstatuar se të dy personat ishin nën ndikimin e alkoolit. Me urdhër të prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë.




