Imami që i dha lamtumirën e fundit Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, ka bërë thirrje për drejtësi dhe për ndaljen e vrasjeve të grave gjatë ceremonisë së varrimit të 49-vjeçares.

Me lot në sy, imami ka kujtuar se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje dhe ndihmë, por nuk i kishte marrë ato, duke kërkuar që drejtësia ta thotë fjalën e saj për këtë rast.
“Kam një kërkesë që në rastin e Arlindës të mbizotërojë drejtësia, vetëm drejtësia. Arlinda lypi mbrojtje, nuk pati mbrojtje; lypi ndihmë, s’i erdhi ndihmë. Atëherë drejtësia ta thotë fjalën e vet”, tha ai.
Imami falënderoi qytetarët që morën pjesë në ceremoninë e varrimit, si dhe mediat që kanë përcjellë rastin, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së zërit përballë padrejtësive.
“Vdekja e Arlindës ka shkaktuar tërmet në zemrat dhe shpirtrat e shqiptarëve”, u shpreh ai.
Në fund, ai bëri thirrje që të marrin fund vrasjet dhe dhuna ndaj njerëzve.
“Kam një lutje te Zoti dhe te populli, boll më, nuk vritet njeri”, përfundoi imami.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




