Pamje të pazakonta janë regjistruar në Kinë, ku një burrë ka hyrë me ekskavator në një kompleks zyrash qeveritare, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Ngjarja ka ndodhur në Qendrën e Zyrave Qeveritare të Distriktit Fengdong, në provincën Shaanxi, ndërsa incidenti ka zgjatur afro një orë.
Sipas raportimit të “Al Jazeera”-s, burri ka përdorur ekskavatorin për të goditur hyrjet e ndërtesave, fasadat, dyert prej xhami dhe pjesë të tjera të kompleksit.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë mjetin e rëndë duke lëvizur nëpër hapësirat e institucionit dhe duke shkatërruar gjithçka që i dilte përpara.
Për shkak të rrezikut, punonjësit dhe qytetarët janë detyruar të evakuohen me urgjencë. Një punonjës ka deklaruar se të pranishmit ishin të frikësuar dhe askush nuk guxoi ta ndalonte burrin.
Pas afro një ore, në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat speciale të policisë, të cilat kanë arritur ta neutralizojnë atë.
Sa i përket motivit, një nga pistat e raportuara lidhet me një mosmarrëveshje për kompensimet financiare që dyshohet se u detyroheshin banorëve të fshatrave përreth. Megjithatë, ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa deri në raportimet e fundit nuk kishte informacion zyrtar për persona të lënduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




