Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se seanca e Kuvendit për vrasjen e grave nuk duhet të shndërrohet në përplasje politike mes partive, por të shërbejë për adresimin e përgjegjësive dhe marrjen e masave konkrete për parandalimin e dhunës.

Hoxha, mbrëmë në emisionin “Edicioni Special”, tha se trajtimi i kësaj çështjeje në Kuvend është dashur të jetë përtej interesave partiake.
“Sot seanca e ka shndërruar trupin dhe vdekjen e një gruaje në betejë partiake dhe politike. Dhe mua më vjen shumë keq me thënë këtë. Kështu që ky është dështimi i seancës së sotme, pavarësisht asaj rezolute që është miratuar”, deklaroi Hoxha.
Ajo theksoi se për çështjet që lidhen me barazinë gjinore dhe sigurinë e grave duhet të punohet vazhdimisht, pa dallime politike, duke rikujtuar rolin e Grupit të Grave Deputete në Kuvend.
“Për agjendën e grave dhe për barazinë dhe për fuqizimin e tyre duhet me punu çdo ditë, pa dallim numrash në Kuvend dhe pa dallim partie”, u shpreh deputetja në Klan Kosova.




